Procesi i dialogut nuk duhet mbingarkuar
Deputeti PS-së në Parlamentin e Shqipërisë, Pandeli Majko, ka thënë se institucionet e Kosovës nuk duhet t’i japin shumë rëndësi procesit të dialogut me Serbinë dhe se ky proces nuk duhet mbingarkuar, por duhet të shihet vetëm si komunikim për të diskutuar interesat e shqiptarëve në Serbi dhe të minoritetit serb në Kosovë.
“E shoh si një dialog, i cili nuk ka pse të vendoset në qendër të marrëdhënieve të ekzistencës së të ardhmes së Kosovës. Mendoj se duhet t’i pohojmë vetes se strategjia e Serbisë për dialogun me Kosovën ka një tendencë të qartë për ta kthyer këtë dialog në atë që Kosova është një shtet eksperimental dhe i përkohshëm. Kështu që duke qenë të kujdesshëm në këtë logjikë, nuk besoj se do të kemi logjika shteruese në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit”, ka deklaruar Majko për KTV, ndërsa raporton Indeksonline.
Ish kryeministri i Shqipërisë e ka bërë të qartë se nuk duhet lejuar që Serbia nëpërmjet çështjes së veriut ta paraqesë Kosovën si shtet eksperimental.
Ai ka folur edhe për procesin e përmbylljes së Pavarësisë, për të cilin ka thënë se mbetet një fazë tjetër e rëndësishme për Kosovën.
“Fundi i mbikëqyrjes ka të bëjë në radhë të parë me mënyrën se si do sillemi me veten tonë, mënyra se si do sillen institucionet e Kosovës me situatën e re dhe statusin që ndërkombëtarët do t’i njohin në vazhdim. Është një status i cili nuk do të ketë të bëjë me mbylljen apo largimin e një personi, si zoti Faith, por ka të bëjë me mënyrën e vet se si do të perceptohet nga ndërkombëtarët veprimi i Qeverisë së Kosovës në marrëdhënie me të tretët”, ka shtuar Majko. /Telegrafi/