Ministri “naiv” takoi kompanitë
Nëntë muaj shërbim si ministër i Shëndetësisë së Kosovës më 2010 rrezikojnë ta çojnë Bujar Bukoshin deri në tetë vjet burg, sipas aktakuzës së prokurores së EULEX-it Maria Bamieh e cila e ngarkon atë për shpërdorim të detyrës zyrtare duke u takuar me operatorë ekonomikë dhe duke u ndërprerë atyre kontrata furnizimi, në shpërputhje me ligjin.
Në shënimet e prokurorëve Bukoshi paraqitet i influencuar nga Ilir Tolaj, të cilin ai e kishte risjellë në këtë ministri, pasi, siç thotë ministri në intervistat e tij, ai kishte ndërmarrë veprimet duke u besuar raportimeve të këshilltarit të vetë. Bukoshi pritet të paraqes argumentet e tij të hënën gjatë vazhdimit të seancës për konfirmimin e aktakuzës.
Ish-kryeministri kosovar në ekzil akuzohet se në bashkëveprim me Ilir Tolajn, Arbenita Pajazitin, Ismet Hysenin, Zenel Kuqin, Hajrullah Fejzën dhe Bekim Fushën, kanë udhëhequr një fushatë kundër kompanisë farmaceutike Jona Med, shkruan gazeta JNK.
Në aktakuzë thuhet se të pandehurit në bashkëveprim janë siguruar që Jona Med të mos marrë asnjë kontratë nga MSh, edhe pse Jona Med në shumë tenderë kishte plotësuar kushtet e përgjithshme dhe se kishte qenë kompania që kishte ofruar çmimin më të ulët. Tenderët të cilët duhet t’i fitonte kjo kompani qenë anuluar dhe rishpallur nga MSh.
Jona Med’it pos që nuk i ishin dhanë më tenderë, i ishin dërguar edhe inspektorë nga ministria në kërkim që kompania të dënohet. Sipas aktakuzës, grupi kishte punuar edhe në përgatitjen e kallëzimeve penale dhe padive civile kundër Jona Med’it e po ashtu kishin punuar që asaj të mos i mundësohet marrja e licencës për import dhe eksport.
Bukoshi, i influencuar nga Tolaj, në qershorin e 2010’së nuk ia kishte vazhduar një kontratë për furnizim me barna Jona Med’it, që ishte e tipit një plus një, edhe pse shërbimi i ministrisë i kishte përgatitur dokumentacionin për të vazhduar kontratën.
Tenderi i ndërprerë nga Jona Medi ishte fituar gjatë 2009’së, kohë kur Ilir Tolaj ishte i suspenduar e Bujar Bukoshi nuk ishte ministër. Deri në 2010, Jona Med’i kishte furnizuar me rregull dhe sipas kontratës. Natyra e kontratës, një plus një, do të thoshte se po që se operatori furnizon me rregull gjatë vitit të parë, atëherë kontrata vazhdohet.
Por Bukoshi, së bashku me Tolajn, pasi që i kishin takuar të gjithë përfaqësuesit e kompanive, ndër të cilët edhe ata të Jona Med’it dhe kompanisë Yess Pharm, kishin vendosur që të mos i vazhdonin kontratat për të dy kompanitë. Ky ishte rasti i parë që një ministër takon drejtpërdrejt operatorët ekonomikë.
Krejt këto kishin ardhur pasi që Jona Med kishte paraqitur padi kundër Ministrisë së Shëndetësisë, në Gjykatën Ekonomike në Prishtinë, për ndërprerjen e kontratës me furnizim me barna.
Jona Med, e kishte fituar rastin, e Ministria është dashur t’i paguaj dëmshpërblimin prej 1.5 milionë eurove. Padi kishte ngritur edhe kompania tjetër Yess Pharm./Indeksonline/