Kalo te lënda

Milionat e Thaçit ishin vetëm mashtrim elektoral!

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vlerëson se Qeveria e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi ka devijuar krejtësisht nga agjenda zhvillimore e vendit. “Plani i shpenzimeve 2013-2015 e forcon këtë vlerësim dhe nxjerr në shesh mashtrimet elektorale të Thaçi për milionat e premtuara për komuna të caktuara”, thuhet ndë një deklaratë për media të partisë më të madhe opozitare.

“Edhe në tri vitet e ardhshme, fokusi i investimeve mbetet në infrastrukturë rrugore, e cila me 10 milionë euro për një kilometër është shumë e shtrenjtë për xhepin e varfër të kosovarëve. Ndërtimi i rrugëve po ashtu nuk po përcillet me efekte pozitive në punësim dhe në zvogëlimin e kostos së bizneseve. Ministria e Infrastrukturës po shpenzon shumë në autostradën Morinë-Merdarë dhe rrugët M2 dhe M9. Kjo po kufizon investimet në projektet e tjera nëpër komuna. Milionat e premtuar nga Thaçi gjatë fushatës zgjedhore nëpër komuna ishin vetëm mashtrim elektoral, pasi po shkojnë jashtë Kosovës përmes kompanisë Bechtel-Encha”.

LDK vlerëson se nuk parashihen fare investime në funksionalizimin e hekurudhave dhe lidhjen me shtetet fqinje, të cilat do të zvogëlonin shpenzimet e transportit që janë të larta përmes transportit rrugor. Porti i Shëngjinit që ju dhurua Kosovës, sipas LDK-së, u harrua krejtësisht, pa asnjë investim.

“Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, me investime kapitale prej 2.5 mililionë euro për 2013, nuk ka asnjë orientim pragmatik për tërheqjen e investitorëve, zhvillimin e NVM-ve apo promovimin e eksporteve. Mjetet shpenzohet në broshura, tryeza dhe konferenca, reklama për turizëm (siç ishte reklamimi skandaloz në CNN gjatë këtij viti), pjesëmarrje në konferenca etj. Nga 6.8 mil euro sa ka pasur buxhet kjo ministri në vitin 2012, buxheti për 2013 bie në 5.5 mil euro, si rezultat i përgjysmimit të investimeve kapitale nga 4.3 mil euro në 2.5 mil euro”, thuhet në një kumtesë të LDK-së.

“Ministria e Zhvillimit Ekonomik një pjesë të mirë të investimeve do ta shpenzoi në studime e analiza fizibiliteti, si dhe pagesa për këshilltarë transaksionesh. Bujqësia neglizhohet krejtësisht. Mungojnë investimet në sistemin e ujitjes, që do të zvogëlonin shpenzimet e bujqve dhe do të rrisnin produktivitetin”.

“Kontratat për investime publike, si në ndërtimin e rrugëve dhe në KEK, mund të merren vetëm nëse ekzistojnë lidhje të forta me qarqe të caktuara në kreun e PDK-së. Në rast të kontesteve ekonomike, bizneset duhet të presin me vite të tëra që të zgjidhet rasti i tyre në gjykata”.

LDK i bazon konstatimet e veta në gjendjen faktike në vend, në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2013-3015, raportin e gjashtë-mujorit të parë të shpenzimeve të qeverisë dhe në raportin e fundit të BQK-së. /Telegrafi/

Lini një koment