Kur drejtësia keqtrajton viktimën!
Dy muaj pas vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Gjykata e Qarkut në Gjilan këtë të hënë do të fillojë rigjykimin e Gëzim Vitisë, i cili dyshohet se vrau Egzon Kçikun. Nëna e Egzonit thotë se do të shkojë e vetme në Gjykatë, pasi, sipas saj, prania e burrit në sallë mund të shkaktojë viktima të reja.
Lirimi nga burgu i dorasit, që ia mori jetën djalit të tyre të vetëm, duket se nuk do të jetë mërzia e vetme që po e përcjell familjen Kçiku nga Gjilani. E hëna do të jetë dita kur kësaj familjeje do t’i rikthehet edhe njëherë gjendja për të cilën luftuan shumë kohë për ta harruar. Por, që nuk e harruan kurrë. Rexhep e Ariana Kciku, prindërit e Egzonit të vrarë para dy vitesh, prej të hënës do të duhet të paraqiten në Gjykatën e Qarkut në Gjilan. Është kjo ditë kur ata do të takohen me Gëzim Vitinë, personin që ia mori jetën djalit të tyre në moshën më të mirë, kur ishte vetëm 16 vjeçar.
Këtë takim mes tyre dhe të dyshuarit kryesor për vrasjen e të birit e ka mundësuar Gjykata Supreme e Kosovës. Është kjo gjykatë e cila e ktheu rastin në rigjykim. E seancën e parë të këtij rigjykimi, Gjykata e Qarkut të Gjilanit e ka caktuar për ditën e hënë. Këtë e ka konfirmuar për Express kryeprokurori i Gjykatës së Qarkut të Gjilanit, Agron Uka. “Seanca e parë e rigjykimit për këtë rast do të jetë të hënën”, ka thënë ai shkurt për Express.
E si prind i viktimës, të hënën në gjykatë do të jetë e pranishme vetëm nëna e Egzonit, Ariana. Si çdo seancë tjetër edhe këtë herë kur të nisë rigjykimit i vrasësit të birit të saj, kjo nënë thotë se do të jetë e vetme që do të hyjë në derën e Gjykatës së Qarkut. “Vetëm do t’i përcjell të gjitha seancat si gjithmonë. Nuk guxoj ta marr burrin me vete…nuk e di se si do të reagonte ai kur t’i del përpara personi që ia vrau djalin. Frikësohem nga ky moment…prandaj shkoj unë vetë gjithmonë”, thotë Ariana për Express./standardi.info