Berisha niset për vizitë në Slloveni
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha është nisur për një vizitë zyrtare në Slloveni, ku do të qëndrojë për dy ditë. Gjatë kësaj vizite, ai pritet të takohet me personalitetet më të larta të këtij vendi, me homologun e tij, Janez Jansha, pastaj me presidentin slloven Danillo Turk, si dhe me kryeparlamentarin Gregor Virant.
Berisha do të marrë pjesë në edicionin e 7-të të Forumit Strategjik të Bledit, një takim i përvitshëm, i cili organizohet nga MPJ e Sllovenisë dhe Qendra për Perspektivë Evropiane.
Nën moton Evropa dhe Rendi Botëror i Formësuar, kjo konferenca do të fokusohet në rolin e Evropës në një komunitet ndërkombëtar që ndryshon, sfidat rajonale në Evropën Jugore dhe Azinë Qendrore, si dhe në marrëdhëniet mes BE dhe Kinës.
Pjesëmarrës të punimeve të Forumit do të jenë personalitete të larta ndërkombëtare nga Kroacia, Mali i Zi, Sllovakia, Jordania, Palestina, Sekretari i përgjithshëm i OECD, si dhe ai i OSBE-së, si dhe përfaqësues të fushave ekonomike, industriale, akademike, nga më shumë se 50 vende. Në forum do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi./Indeksonline/