Çudirat e KEK-ut
Jetojnë në një rrugë por nuk e kanë të njëjtin fat. Mbi 100 shtëpi në rrugën Azem Galica në Vushtrri, janë duke u përball me tension të ulët të energjisë elektrike. Gjendja nuk ka ndryshuar që dhjet vite, edhe përkundër ankesave të mëdha drejtuar KEK-ut.
“Nuk kemi mujt me shfrytëzu sen. Ka dhjet vite që ne as makinën e larjes nuk shfrytëzojmë. Ka dhjet vjet që ne shkojmë në KEK dhe kërkojmë për me na e ndreq, jo vetëm këtu në Vushtrri por edhe në Mitrovicë”, ka thënë njëri nga qytetarët e kësaj pjese.
Por të njëjtët breng nuk e kanë banorët tjerë që jetojnë afër tyre.
“Gjendja në shtatë –tetë shpi të tjera është e mirë dhe kanë trafon e mirë. E pjesa jonë s’ka, mirëpo këtë punë e dinë KEK-u më së miri”, thotë një qytetarë tjetër.
Në anën tjetër banorët thonë se e paguajnë rrymën rregullisht, ndërsa për pjesën e mbetur fajësojnë inkasantët që nuk duken në këtë pjesë. Të lodhur nga kjo gjendje me rrymë banorët e rrugës Azem Galica do të takohen të hënën me zyrtarët e KEK-ut, që të kërkojnë për të satën herë zgjidhjen e problemit. Nëse prapë nuk do të ketë rezultate atëherë këmbëngulja do të jetë më e madhe.
“Me fëmijë e me gra, e do të dalim dhe ta bllokojmë rrugën kryesore se s’na ka mbet tjetër. Shko e shko nonstop dhe deri tash s’është kryer puna”, thotë qytetari.
Shpresë për ta është vendosja e një trafo, e cila ishte vendosur një muaj më parë, por që s’është vënë në funksion deri tani. E për këtë nuk e dinë as në KEK, se pse nuk është vënë në funksion. Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, i ka thënë Klan Kosovës se nuk është në dijeni për këtë rast dhe i duhet kohë për të marrë informacion./Indeksonline/