Berisha merr pjesë në inaugurimin e rrugës Armath- Hamallaj- Hidrovor
Rruga e re do të ketë një impakt të madh në krijimin e vendeve të reja të punës dhe reduktimin e papunësisë për këtë zonë
Kryeministri Berisha mori pjesë të shtunën paradite, në inaugurimin e rikonstruksionit të rrugës Armath- Hamallaj- Hidrovor. Rruga me gjatësi 5,1 kilometra dhe gjerësi 6 metra, e rikonstruktuar në përputhje me të gjitha standardet bashkohore infrastrukturore përbën një investim prej 172 milion lekë, financuar nga qeveria shqiptare, BERZH dhe BEI. Ajo fillon në aksin e Rrugës Nacionale Maminas – Shenpjeter, pranë fshatit Armath, përshkon fshatin Hamallaj dhe përfundon në bregdet prane Hidrovorit. Rruga, nga e cila përfitojnë 15 mijë banorë përshkon territorin administrativ te Bashkisë Manzë dhe Sukth, te cilat i lidh me bregdetin e Hamallajt.
Nëpërmjet këtij segmenti rrugor banoret e zonës dhe pushuesit mund te frekuentojnë bregdetin e Hamallajt, te lëvizin në qendrat shëndetësore, administrative dhe ato te edukimit. Gjithashtu kjo rrugë u vjen ne ndihmë dhe fermerëve, pasi ne të dy anët e saj ndodhen toka bujqësore, duke u bërë kështu një shtysë për zhvillimin e ekonomisë lokale.
Gjatë këtyre viteve në qarkun e Durrësit janë ndërtuar 540 km rrugë, në të cilat përfshihen 300 km rrugë lokale në komuna dhe bashki, 136 km rrugë kombëtare dhe 104 km rrugë rajonale. Gjithashtu në Durrës është ndërtuar Universiteti dhe 62 shkolla dhe kopshte. Janë rikonstruktuar spitalet e maternitetet e rretheve Durrës e Kruje dhe jane ndertuar edhe 107 ambulanca e qendra shëndetësore. Ndër të tjera janë rikonstruktuar e ndertuar 112 sisteme Ujësjellësish e KUZ, si dhe janë subvencionuar 850 ha ne ullinj,vreshtari, sera e mbrojtje bimesh, nga të cilat kane përfituar 3200 fermerë e blegtore.
Për sa i përket bizneseve, ato janë dyfishuar me 8000 bisnese te reja. Nga 8200 bisnese prezente në vitin 2005, në 16200 biznese në vitin 2012, nga te cilat 1100 janë bisnese turistike.
* * *
Kryeministri Berisha i shoqëruar edhe nga autoritet lokale të zonës zhvilloi një takim me banorët, të cilëve iu uroi rrugën e re dhe iu premtoi se investimet në infrastrukturën e kësaj zone do të vijojnë me intensitet edhe në të ardhmen, duke nxjerrë më shumë në pah vlerat e saj të mrekullueshme turistike.
Duke theksuar se ulja e papunësisë është një ndër prioritetet më kryesore të qeverisë, Kryeministri tha në fjalën e tij, se rruga e ndërtuar ka një impakt të madh në krijimin e vendeve të reja të punës në këtë zonë me një perspektivë premtuese, si përsa i përket turizmit, ashtu edhe në bujqësi.
Kryeministri tha se rrugët janë interesi jetik i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga bindjet e tyre politike e partiake dhe politika bllokuese e ndjekur në vazhdimësi nga opozita nuk është në interes dhe dobi të qytetarit shqiptar. Në këtë kontekst, Kryeministri premtoi se rrugë të reja do ti shtohen rrjetit infrastrukturor të vendit, me qëllim përmirësimin dhe lehtësimin e jetesës së qytetarëve, kudo që ata jetojnë.
Në përshëndetjen drejtuar të pranishmëve, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari ju përshëndes përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë për inaugurimin që i bëmë sot së bashku kësaj rruge që lidh këtë fshat, këtë zonë të mrekullueshme me Manzën, Sukthin, por e vërteta e lidh më shumë se me çdo gjë tjetër me Tiranën dhe bën që Hamallaj, në një kohë të shkurtër të shndërrohet në një nga qendrat turistike, më të mëdha, më të bukura të vendit. Kjo rrugë është një investim prej 172 milion lekë, ndërtuar sipas të gjitha parametrave bashkëkohorë nga Fondi Kombëtar i Zhvillimit dhe ka një impakt të madh në zonën tuaj, si në rrafshin e zhvillimit të biznesit, fermave të kësaj zone, investimeve, por edhe në zhvillimin e turizmit. Kjo rrugë ka një impakt të madh në krijimin e vendeve të reja të punës në zonën tuaj. Pak kohë ka që ka përfunduar dhe numri i bizneseve po rritet me shpejtësi. Perspektiva e fermave tuaja është e madhe. Perspektiva turistike e zonës është e shkëlqyer.
Të dashur qytetarë dhe qytetare,
Për qeverinë qëllimi më kryesor i të gjitha përpjekjeve, i të gjitha reformave është punësimi i qytetarëve shqiptarë. Njeriu i lirë i punësuar në kushtet e tregut ndërton vetë jetën e tij, mbrothëson jetën e tij, lumturon jetën dhe familjen. Prandaj për ne, krijimi i vendeve të reja të punës mbetet objektivi më absolut.
Vëllezër dhe motra,
Këto vite kanë qenë vitet më të vështira në Evropë, që nga kriza e viteve ‘20 të shekullit të shkuar.Kjo krizë e rëndë siç e dini dhe vetë ka pllakosur Evropën dhe pjesë të tjera të botës. Viktima më e rëndë e kësaj krize ka qenë shkatërrimi i dhjetëra e miliona vendeve të punës. Kjo krizë ka bërë që vende jo larg nesh, në rajon dhe në Evropë, të kenë një papunësi mbi 23 %, një papunësi që megjithë këto shifra vazhdon të rritet. Por statistikat e Komisionit Evropian që raportojnë këto nivele papunësie, raportojnë gjithashtu se Shqipëria është i vetmi vend i rajonit në të cilin papunësia, jo vetëm që nuk u rrit, por përkundrazi pësoi një ulje progresive dhe kjo ju garantoj ju se nuk ka ardhur për asnjë arsye tjetër, përveçse përpjekjeve tona të jashtëzakonshme për të krijuar vende të reja pune. Dhe vendet e reja të punës i garanton rritja dhe zhvillimi. Nga viti 2006 e deri më sot kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 10 mijë km rrugë, me qindra e qindra ujësjellësa, kanalizime e shkolla. Në të gjithë këto është derdhur dhe derdhet djersa dhe mundi i dhjetëra dhe mijëra punëtoreve, teknikëve dhe inxhinierëve shqiptarë. Por rruga ndikimin në punësim, e ka shumë herë më të madh me zhvillimin që sjell. Nuk është fare e largët dita, kur unë pak vite më parë isha tek Gjiri i Lalzit. E kam theksuar dhe e theksoj, se ka qenë për mua një nga udhëtimet më të trishtuara. U trishtova sepse pashë prodhimet bujqësore që kalbeshin, fermerë që nuk i nxirrnin dot në treg, toka të pambjella sepse nuk kishin ku të shisnin prodhimin. Rrugët janë kushti kryesor i zhvillimit. Pa rrugë nuk ka lagje të zhvilluara, nuk ka fshat të zhvilluar, nuk ka qytet të zhvilluar, nuk ka shtet të zhvilluar, nuk ka vend të zhvilluar. Studimet më serioze kanë faktuar se çdo dollar i investuar në rrugë e kthen veten me 5-fishin, e kthen sepse ndihmon zhvillimin e biznesit. Me rrugën lind tregu, me rrugën lind biznesi, me rrugën lind ferma moderne, me rrugën lind turizmi dhe shërbimet më të mira. Të gjitha këto së bashku kanë bërë që Shqipëria të mos ketë rritje, por ulje të papunësisë.
Për ne ulja e papunësisë është qëllim madhor, prandaj dhe ne në një prej akteve më të para përgjysmuam taksat për biznesin shqiptar. Efekti i përgjysmimit të taksave në Durrës, në Manzë, kudo në Shqipëri ishte dyfishimi dhe trefishimi sipas qytetit i numrit të bizneseve, ishte dyfishimi dhe trefishimi i punësimit në këto biznese dhe investime. Në luftën që i bëmë korrupsionit me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ne ia arritëm ta nxirrnim Shqipërinë nga fundi i dheut ku ishte për investime të huaja dhe të rrisim në katër vitet e fundit me 316 % investimet e huaja. Vetëm këto vitet e fundit, Shqipëria ka marrë 3.2 miliard dollarë investime të huaja. Shqiptarët qëndrojnë në nivelet më të larta të investimeve të huaja për frymë. Këto investime kanë bërë të mundur që në Shqipëri të krijohen me dhjetëra e mijëra vende të reja pune. Rrugët e vendit kanë qenë me fat të madh sepse ato nuk mund të bllokohen në parlament nga vota me tre të pestat.
Vëllezër,
Le të kthehemi pak gjatë këtyre viteve, se çfarë qëndrimi mbajti opozita dhe se si votoi kundër rrugës së kombit. Çfarë qëndrimi mbajti opozita dhe se si e mbajti parlamentin deri në 5 të mëngjesit kundër ndërtimit të autostradës Tiranë-Elbasan. Se çfarë qëndrimi mbajti opozita, tre muaj më parë për shtesat e domosdoshme që duheshin bërë për ndërtimin e rrugëve të Jugut, Levan- Vlorë, Levan Tepelenë.
Po rrugët janë interesi jetik i të gjitha shqiptarëve pavarësisht nga bindjet e tyre partiake, e të gjithë atyre që votojnë, e të gjithë atyre që nuk votojnë. Interesat e kujt mbrohen duke u përpjekur të pengosh ndërtimin e tyre? Shqipëria ka dalë në krye të investimeve të huaja për frymë, çka është një fat i madh sepse këto investime krijojnë me dhjetëra e mijëra vende pune. Të ngrihesh çdo ditë kundër tyre, të bësh letra të hapura të stilit të Enver Hoxhës kundër bizneseve të huaja, bën një Don Kishot të vërtetë me mullinjtë e erës. Por janë fatlumë ata dhe vendi që këto nuk varen nga tre të pestat, këto nuk mund të bllokohen. Dhe e vërteta është se sa më shumë ti sulmojnë këta shokë investimet e reja, aq më larg i largohen pushtetit edhe deri në vitet 30 po vazhduan në këtë mënyrë.
Për ne punësimi është qëllimi kryesor. Le të ndalemi pak në platformën tonë të Shqipërisë, superfuqi e energjisë së rinovueshme në rajon. Çfarë po ndodh në të katër anët e vendit. Në të katër anët e vendit po ndërtohen hidrocentrale. Në 3-4 vitet e fundit janë ndërtuar mbi 70 HEC-e. Asnjëri prej tyre në Durrës, Tiranë, në Manzë apo në Sukth. Të gjitha janë ndërtuar në zona që ne nuk i shohim sepse janë larg sepse janë përtej maleve, përtej kodrave, por janë në zona ku jetojnë shqiptarë, ku marrin rrogat, ku mbajnë familjet, ku punësohen dhe ata.
Qeveria ka firmosur në sektorin privat për ndërtimin e 332 Hec-ve në të katër anët e vendit dhe kjo do të thotë krijimi i dhjetëra vendeve të punës edhe në zonat më të varfra në të katër anët e vendit.
Zonja dhe zotërinj,
Papunësia në Shqipëri nuk u rrit, por u ul në mënyrë progresive sepse ne bëmë realitet një ëndërr, bëmë realitet Shqipërinë turistike. 300 mijë turistë dhe vizitorë priste Shqipëria në vitin 2004 kur qeverisnin shokët socialistë, 4 milion e 10 mijë priti vitin e kaluar, ndërsa 300 mijë më shumë janë deri tani. Ky është një realitet i ri, një realitet i shkëlqyer, i cili ka bërë që sipas statistikave më serioze, ky sektor në Shqipëri punëson 190 mijë burra dhe gra të këtij vendi. Industria turistike është shndërruar në industri kryesore dhe ju garantoj ju se ne që sollëm këtu rrugën Hamallaj-Manzë-Tiranë, do të ndërtojmë dhe rrugën tjetër Hamallaj-Durrës.
Nuk ka kërkesë më të drejtë se sa kërkesa për rrugët. Ne ulëm papunësinë dhe do të ulim atë sepse ne po bëjmë gjithçka për Shqipërinë dixhitale. Vetëm ky sektor i ekonomisë, i cili është rritur me më shumë se 15 herë nga viti 2006 e deri më sot , ka punësuar me mijëra e mijëra qytetarë dhe qytetare shqiptarë.
Në një hark kohor të shkurtër, ne kemi trefishuar numrin e studentëve. Edhe kjo në funksion të punësimit, sepse është e faktuar si drita e diellit se shkollimi dhe universiteti japin shanse shumë më të mëdha për punësim të të rinjve, sesa tek të rinjtë e tjerë, pra e tërë politika jonë është e përqendruar tek punësimi, e tërë politika jonë është të mbrohemi nga kjo krize e thellë që ka pllakosur disa vende të rajonit dhe Evropën. Dhe e vërteta është se këto reforma kanë qenë një ombrellë e fuqishme e mbrojtjes ekonomike. Përsëri ne do i thellojmë ato. Ata që premtojnë rritjen e taksave, ata premtojnë shkatërrimin e vendeve të punës, ata që premtojnë rritjen e taksave, ata premtojnë shkatërrimin e bizneseve, ata që premtojnë rritjen e taksave, ata kanë nostalgjinë e kohërave që nuk kthehen më. Ne përkundrazi do ti ulim më tej ato. Ne përkundrazi do të zvogëlojmë më tej sektorin publik, në mënyrë që sektori privat të marrë frymë më lirshëm. Ne jemi krenarë sot sepse ne jemi një nga administratat për frymë më të vogla të planetit. Vertet jemi larg të qenurit të përsosur, por ne jemi krenarë sot, sepse jemi sipas të gjitha të dhënave, qeveria më dorëshkurtër në drejtim të ndërhyrjes në biznes. Ne besojmë se qytetari shqiptar me iniciativën e tij të lirë, me gjeninë e tij krijuese, i ka të gjitha potencialet, në rast se i garantohen liritë, të mbrothësojë veten dhe familjen e tij.
Ndaj dhe njëherë Gëzuar këtë rrugë dhe tu siguroj se edhe rruga tjetër do të bëhet. Pasi nuk ka nevojë që ata që ndodhen në Durrës të sillen rrotull për të ardhur deri tek ju, jo aspak. Ata do të vinë direkt, ne do ta ndërtojmë atë rrugë dhe ju do të bëheni një nga zonat, një nga vendet më të bukura, më të rëndësishme turistike të bregdetit Adriatik, një zonë e mrekullueshme që unë e njoh shumë mirë.
Ju përshëndes shumë përzemërsisht!