Rrëfimi i Bujës për prokurorin e çështjes Limaj
Ishte 28 prill i vitit 2003 dhe Komandant “Gazetari” i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Shukri Buja, po rrëfehej në ambientet e batalionit finlandez të KFOR-it në Kosovë. Këto ambiente ishin në Fabrikën e Letrës në Lipjan, komunë kjo të cilën tash e dy mandate e drejton Buja.
Ai po intervistohej nga Endru Kajli, prokurori qe merrej me çështjen kundër Fatmir Limjt dhe të tjerëve në Tribunalin Ndërkombëtar te Hagës.
“Indeksonline” ka siguruar transkriptim e rrëfimit të Komandant “Gazetarit” në këtë rast.
Në këtë rrëfim, që është i ndarë në dy pjesë, Buja sjellë – aq sa thotë se ka mbajtur mend 4 vite pas luftës – nismat a para të organizimit të gueriles kosovare kundër ripushtuesve serb, strukturën e UÇK-së, pozicionet e kompetencat e komandantëve në Zonën e Pashtrakut dhe mbi të gjitha se kush mbante përgjegjësi për civilët e arrestuar nga UÇK-ja në këtë zonë që përfundonin në burgun e Llapushnikut.
Buja, në rrëfimin para prokurorive që po e ndiqnin Fatmir Limajn, identifikon në fotografi edhe vetë burgun e Llapushnikut, foto kjo të cilën e sjell “Indeksonline”.
Ai ishte i vetëdijesh, sipas rrëfimit, se po dëshmonte në procesin kundër Fatmir Limajt. Ai madje po pranonte edhe që të bëhej dëshmitar publik, siç edhe dëshmoi më vonë për ndodhitë në zonën e Reçakut, por që atëherë, siç shprehet decidivisht Buja, e dinte se do të kishte problem me “mentalitetin e shqiptarëve” çka do që do të dëshmonte.
Në këtë rrëfim Buja përgjegjësinë edhe për civilët e arrestuar në nën-zonën ku ai po komandonte, ia hedh Komandant “Çelikut”, pseudonim që në luftë e mbante deputeti tanishëm i PDK-së, Fatmir Limaj.
“…dhe kur ka ndodhë me një arrestim… dhe kur jam pyetur se ‘çka’ të bëjë, thjeshtë kam thënë ‘nise për Kleçkë’”, thotë Buja dhe arsyetohet se nga “Çeliku” po merrte urdhra në atë kohë.
Ai madje thotë të këtë përcjellë personalisht njerëz të dal ngaë burgu i Lapushnikut, që qartë e identifikon në fotografitë që sjell edhe “Indeksonline”.
Ndonëse nuk e pranon që vetë të ketë arrestuar njerëz, përveç që ka marr pjesë në konfiskimin e armëve, Buja shprehet në këtë dëshmi të tij se për arrestimet ishin në dijeni inteligjenca e UÇK-së.
Buja thotë se ka pasur edhe arrestime edhe për hakmarrje individuale.
Krejt këto deklarime dhe hedhje të përgjegjësisë te Komanda në Kleçkë, Buja i bënë një pjesën e fundit të rrëfimit të tij para prokurorëve të Hagës në çështjen kundër Limajt dhe një 15 faqet e para të pjesë së dytë të rrëfimit të tij.
Në këtë rrëfim, Shukri Buja, pas daljes nga burgu u shpërngul në Zvicër dhe u kyç në Shoqatën “Mëmëdheu” ku ishte e angazhuar në mbledhjen e fondeve në ndihmë UÇK-së e më vonë flet për fondin “Vendlindja Thërret”.
Para prokurorëve, kundër Limajt në Hagë, Shurki Buja flet edhe për Lëvizjen Popullore të Kosovës, pjesë të së cilës përmendet edhe deputeti tjetër i PDK-së, Adem Grabovci.
Për Kryeministrin Hashim Thaçi thotë se ka qenë veç anëtar i LPK-së, por jo edhe funksionar.
“Ka qenë njeri i panjoftun atëherë”, i referohet Thaçit, duke folur për kohën ilegales që po tentonte të ndihmonin UÇK-në, para viteve 1997-98.
Për veten thotë të jetë kthyer fillimisht Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, si gazetarë që ishte, me diplomë.
Në një pjesë të rrëfimit ai e përshkruan Thaçin si “pështjellës” të urdhrave dhe në pjesën tjetër rrëfen se UÇK-ja, sidomos në Zonën e Pashtrakut, ka pasur mjaft paqartësi në mes të kompetencave të komandantëve. Ai madje deri dikur kishte menduar se Fatmir Limaj ishte edhe pjesë e Shtabit të Përgjithshëm dhe në disa rrethana thotë se nuk e di se kush ka qenë më kompetent për të vendosur në komandën e Kleçkës, Komandant “Çeliku” apo Komandat “Kumanova’ – Ismet Jashari.
Ai ka folur edhe për përplasjet në mes të komandantëve të nivelit të tij, që drejtonin nën-zonat operative të UÇK-së. Thotë se më shumë ka mbajtur kontakte me Komandant “Voglushin”, pasi që ka pasur problem me Komandant “Luanin” dhe Komandant “Qerqizin”.
Më poshtë mund t’i lexoni të dy pjesët e intervistës së Shukri Bujës të dhëna për prokurorin e çështjes kundër Limajt dhe të tjerëve në Hagë. Intervista është incizuar në Lipjan, në vitin 2003, dhe është e ndarë në dy pjesë nga vetë hetuesia (për shkaqe teknike që mund të vetë-kuptohen pas leximit të fundit të pjesës ë parë dhe fillimit të pjesës së dytë).