Kalo te lënda

Në Durrës e Gjirokastër kapen 240 kg drogë

Durrës, 31 gusht –  Rreth 240 kg mariuanë janë sekuestruar si rezultat i dy operacioneve antidrogë në Durrës dhe ne Gjirokastër, bën të ditur abcnews. Ndërkohë në pranga kanë përfunduar dy persona dhe dy të tjerë janë në kërkim. Sipas njoftimit të policisë së Durrësit, rreth 160 kg Kanabis Sativa, e cila kishte si destinacion parësor Italinë, u kapën mesnatën në një kamion me targa AA 057 dhe në pranga u vendos shtetasi me inicialet P.I 38 vjec nga Vlora. Ky është rasti i dytë që brenda tre ditësh në portin e Durrësit sekuestrohet drogë e llojit hashash, u vetëm tre ditë më parë u kap një sasi prej 186 kilogramë, ndërsa në pranga përfundoj poseduesi i saj. Në Gjirokastër, sekuestrohen 75.4 kilogramë Mariuanë dhe arrestohet në flagrancë një nga shtetasit që transportonin lëndën narkotike, Landi Zoi i dënuar më parë në shtetin grek me 5 vite burg për trafik të qënieve njerëzore. Droga po transportohej nga Lazarati në drejtim të Përmetit me destinacion kufirin jeshil për në shtetin grek dhe shtetasit që transportonin lëndën narkotike do të kalonin nga kodrat e fshatit Hormovë për në fshatin Lekël e më pas për Përmet me qëllim shmangien e postobllokut të Policisë që funksionon 24 orë në Ujin e Ftohtë Tepelenë. Poshtë fshatit Hormovë në një lëndinë policia ka bërë të mundur kapjen e njërit prej transportuesve , ndërsa shtetasi tjetër ka hedhur çantën me lëndë narkotike dhe është larguar me shpejtësi shtratit të lumit Drino, duke përfituar nga errësira dhe terreni i vështirë. Në përfundim të veprimeve të para hetimore rezultoi se tre shtetas nga Fieri kishin blerë në fshatin Lazarat lëndën narkotike dhe do ta transportonin në drejtim të Përmetit, për të kaluar nëpërmjet kufirit Jeshil për në shtetin Grek.

Lini një koment