Kalo te lënda

“Nazimja”, taksisti: Xhaxhai e detyroi të qëllonte prapë mbi Fiqiriun

Nazime Visha, e reja që ekzekutoi Fiqiri Muçën, të cilin e akuzonte për abuzime seksuale për katër vite me radhë, pasi e ndoqi me automatik, ka zbritur në rrëpirë duke e qëlluar edhe të vdekur. Një fakt i tillë, është zbardhur nga dëshmia e taksistit Mirvet Bardhi, i cili shoqëroi babain e pesë fëmijëve nga Durrësi në Tiranë, ku dhe do të merrte Nazimen, të cilën pretendonte se e kishte të dashur.

Në dosjen e prokurorisë, të cilën e disponon “GSH”, taksisti ka rrëfyer me detaje momentin e vrasjes së 45-vjeçarit, dhe mes të tjerash, është shprehur se një burrë që rezulton të jetë xhaxhai i Nazime Vishës, e ka marrë atë dhe e ka çuar deri në një kodër, ku i ka kërkuar vajzës 18- vjeçare të zbresë me automatik në dorë dhe ta qëllojë sërish Fiqiri Muçën.

Në dosje thuhet gjithashtu se taksisti ka hedhur dyshime, që veç Nazimes, me një armë pistoletë ishte i pajisur dhe një burrë, i cili e ka ndjekur nga pas viktimën. Nëse Fiqiri Muça është qëlluar vetëm me automatik nga Nazime Visha apo ndaj tij ka qëlluar dhe xhaxhai i vajzës, sikurse ka rrëfyer dëshmitari okular Bardhi, një fakt i tillë pritet të konfirmohet pas përfundimit të ekspertizave balistike, raporton bw.

Më poshtë po botojmë një pjesë të dosjes së organit të akuzës, që po heton për të hedhur dritë mbi vrasjen e ndodhur mesnatën e 13 gushtit./Indeksonline/

Lini një koment