Miratohen 21 ligjet që i japin fund mbikëqyrjes së pavarësisë
Me 63 vota për, asnjë kundër, asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës miratoi sot pakon prej 21 ligjeve, që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, raporton RTK. Debat më i nxehtë u zhvillua për amendamentet e Ligjit për liritë fetare, për çka deputetë të caktuar kundërshtuan amendamentet e Komisionit ad hoc, duke i cilësuar ato si të dëmshme për Kosovën….
Deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan një për një amendamentet e për ndryshimin dhe plotësimin e pakos prej 21 ligjeve që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës. Kryetari i komisionit për ndryshimet kushtetuese, Arsim Bajrami e quajti këtë moment historik për Kosovën.
“Jemi të gjithë të vetëdijshëm që ky është një moment historik, sepse Kosova po shënon përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe po fiton të drejtën të qeveris veten”, tha Bajrami.
Shefit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymerit, i bëri më shumë përshtypje fjalia e fundit e Bajramit, për fitimin e të drejtës së Kosovës për ta qeverisur veten.
“Është e njëjta fjali që është thënë me 17 shkurt 2008. Po thuhet prapë në shtator të vitit 2012, e do doja ta pyesja Qeverinë ndoshta e di, kur do të jetë momenti i ardhshëm për ta qeverisur veten”, tha Ymeri.
Ndërkohë, një debat më i nxehtë është zhvilluar për disa prej amendamenteve që kanë të bëjnë me Ligjin për liritë fetare. Kryeministri Hashim Thaçi bëri thirrje të përkrahen amendamentet e Komisionit ad hoc.
“Ju ftoj të gjithë deputetëve të të gjitha partive politike, t’i japim mbështetje të plotë propozimit të komisionit që është propozim edhe i Qeverisë, edhe garancë që i kemi dhënë komunitetit ndërkombëtarë”, tha ai.
Në disa raste thirrja e kryeministrit bëri punë, e kjo nuk i ka pëlqyer kryeparlamentari Jakup Krasniqi.
“Ne nuk e votuam një amendament që e mbron Kushtetutën”, tha Krasniqi.
Por, thirrja e kryeministrit, nuk ka bërë punë për amendamentet e propozuara nga deputeti i PDK-së, Hydajet Hyseni, shumica prej të cilëve kanë kaluar. Sidoqoftë, për amendamentet 32, 33 dhe 37, të propozuara nga Hyseni, është dashur të mblidhet Kryesia e Kuvendit që të vendos nëse votimi për to ka qenë korrekt. Kryeparlamentari Krasniqi pas kthimit në sallë ka bërë të ditur se këto amendamente, nuk e kanë plotësuar kriterin e votës së dyfishtë, që do të thotë votën e shumicës së deputetëve joshqiptarë, siç është e përcaktuar në nenin 81 të Kushtetutës.
Ndërkohë në fillim të seancës mes PDK-se dhe LDK-së janë shkëmbyer akuza rreth bllokimit të reformës zgjedhore dhe asaj kushtetuese. Deputetja nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani tha reformat po i bllokojnë presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi, me moszbatimin e marrëveshjes politike. Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci tha se është vet LDK-ja ajo që ka kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese, dhe si i tillë, ai vendimi duhet respektuar. Kuvendi po vazhdon punimet me debat parlamentar lidhur me përdorimin e tri kodeve të huaja telefonike në Kosovë.