Kalo te lënda

LSHP, një prej simboleve më të mëdha të kombit shqiptar

Prizren, 31 gusht – Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka përmbyllur vizitën e tij të parë në Kosovë me vizitën në Prizren, ku ka qëndruar në kompleksin muzeor të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në Xhaminë e Sinan Pashës. I pari i shtetit shqiptar në qytetin më jugor të Kosovës ka përkujtuar se nga kjo qendër ka nisur iniciativa për formimin e shtetit shqiptar, në saje të Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit, që është kurorëzuar me ngritjen e flamurit 100 vjet më parë në Vlorë.Një shekull më pas Nishani ka vlerësuar se objektivat e LSHP-së janë në realizim e sipër.
“Sot, shikojmë të jetësuara ëndrrën, qëllimet dhe kontributet e të gjithë burrave që qindra, qindra vite më parë i nisën përpjekjet e tyre për liri, e bartën këtë në Prizren, në Vlorë dhe në të gjitha trojet shqiptare”, ka thënë Nishani, gjatë një paraqitjeje të shkurtër para medieve. Ai ka shprehur bindjen se Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit paraqet njërën prej simboleve më të mëdha të kombit shqiptar, të historisë së mbijetesës dhe konsolidimit të kombit dhe shtetit shqiptar.
“I shpreh mirënjohjet për banorët dhe pushtetarët e Prizrenit, për specialistët, që me punën e tyre e kanë mbajt gjallë këtë simbol”, ka theksuar Nishani, i cili ka takuar edhe kryetarin e Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja.
Presidenti shqiptar ka bërë të ditur se pas përpjekjeve shekullore, Shqipëria dhe Kosova kanë arritur përparime të mëdha dhe se janë kontribuues të paqes, stabilitetit e sigurisë në rajonin e Ballkanit.

16:55 – Nishani: E ardhmja u takon shqiptarëve

Pejë, 31 gusht – Në ditën e dytë të vizitës që po i bën vendit tonë, presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka qëndruar në Pejë, ku është takuar me përfaqësues të komunitetit të biznesit në vend. Në takimin me kryetarin e Komunës, Ali Berisha, dhe biznesmenë pejan e përfaqësues të odave ekonomike të dy vendeve, Nishani ka shprehur gatishmërinë e tij për t’u angazhuar në krijimin e kushteve më të favorshme për bizneset e të dy vendeve, si dhe për heqjen e pengesave juridike e administrative mes dy vendeve. “Detyrë jona është të krijojmë të gjitha lehtësitë, hapësirat për të krijuar vlerë dhe cilësi. Angazhim në këtë drejtim duhet të kemi të gjithë, në radhë të parë institucionet shtetërore dhe bizneset. Bizneset e vendeve tona tani janë më të lira edhe nga pengesat burokratike që ndonjëherë janë has”, ka thënë Nishani. Sipas tij, megjithë të arriturat në të dy vendet, sfidat janë të mëdha në aspektin ekonomik. Por, nëse kemi një shoqëri model, nëse kemi një standard që mund të promovohet lirshëm, atëherë këtë e shohim si një detyrë të qeverive tona dhe institucioneve tjera, shtoi Nishani.
“Tani kemi një realitet të ri që disa vite më parë ishte vetëm ëndërr. Tani Kosova është e pavarur, e Shqipëria është në NATO ”, është shprehur presidenti shqiptar. Ai e ka vlerësuar të ardhmen si moment të shqiptarëve dhe ka bërë thirrje për reflektim pozitiv të të gjithëve.
“100 vjetori i pavarësisë është moment i të gjithë neve, që të analizojmë dhe të reflektojmë për objektivat e së ardhmes. E ardhmja na takon neve, shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Diasporës dhe kudo që ka shqiptarë. Ta bëjmë Kosovën dhe Shqipërinë si të gjitha vendet e Evropës dhe botës së zhvilluar”, ka porositur Nishani.
Safet Gërxhaliu, kryetari i OEK-ut ka kërkuar nga presidenti Nishani heqjen e barrierave administrative dhe krijimin e standardeve për konkurrencë të lirë në tregjet rajonale e më gjerë.
Ilir Zhilla, kryetar i Unionit të odave ekonomike shqiptare, ka thënës se ana juridike dhe lehtësirat administrative duhet të rregullohen që të jemi të pranishëm në tregjet rajonale. Edhe kryetari i Pejës, Ali Berisha ka folur për bashkëpunimin e vazhdueshëm me bizneset nga Shqipëria. Ai fillimisht ka prezantuar para presidentit Nishani kapacitetet biznesore të qyteti të Pejës.
Pas Pejës, Nishani ka vizituar edhe komunën e Deçanit, si dhe i ka bërë një vizitë familjes Haradinaj, ku i është dorëzuar dekorata “Shkelzen Haradinaj”, kurse pastaj ka vizituar edhe kapacitetet prodhuese të ndërmarrjes së njohur për prodhimin e verës Stone Castle në   . Më herët gjatë ditës presidenti i Shqipërisë ka vizituar edhe kompleksin memorial dhe familjen Jashari në Prekaz.

 

Lini një koment