Kalo te lënda

LDK-ja s’e ka për ‘hajgare’

Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka deklaruar se kushti i vetëm i kësaj partie, që të kthehet në Komisionin për Reformë Zgjedhore është respektimi i plotë i marrëveshjes PDK-LDK-AKR.

Beqiri në një intervistë për “Epokën e Re”, ka thënë LDK-ja ka qenë dhe është për reformë zgjedhore  por, sipas tij, ato nuk mund të bëhen nëse nuk respektohet marrëveshja.

“Në çastin që respektohet kjo marrëveshje LDK-ja do të kthehet në Komisionin për reformë zgjedhore. Në të kundërtën, s’do të kthehemi”, ka thënë Beqiri.

Duke e komentuar deklaratën e nënkryetares së AKR-së, Mimoza Kusari-Lila, se “AKR-ja nuk do të veprojë si LDK-ja”, Beqiri u ka bërë thirrje partive të tjera që të mos merren me LDK-në dhe veprimet e saj.

“Ai ka thënë se Mimoza është e vogël, ashtu siç është partia e saj për të folur për LDK-në”.

“LDK-ja është e madhe, prandaj AKR-ja është e vogël për të folur për LDK-në. Po ashtu, është shumë minore ajo çka ka thënë Kusari-Lila saqë nuk e meriton as t’i komentoj deklaratat e saj. Mimoza është e vogël, ashtu siç është partia e saj për të folur për LDK-në. Por, ka kohë të rriten”, është shprehur Beqiri. /Telegrafi/

Lini një koment