Jahjaga injoron LDK-në
Atifete Jahjaga gati sa nuk e qortoi LDK-në, që ka braktisur komisionet për reformën zgjedhore dhe kushtetuese.
Ajo ia bëri me dije në mënyrë decidive kësaj partie opozitare se nuk e ka ndërmend të respektojë marrëveshjen që e solli atë në krye të shtetit vitin e kaluar. Isa Mustafa tha se për moszbatimin e marrëveshjes, përveç Jahjagës, fajin e ka edhe Kryeministri Hashim Thaçi.
Presidentja Atifete Jahjaga i është përgjigjur të enjten LDK-së, e cila një ditë më parë braktisi komisionet për reformë zgjedhore dhe kushtetuese me arsyetimin se nuk po respektohet marrëveshja për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme presidenciale.
Jahjaga deklaroi se nuk e ka në plan të largohet nga posti, siç po kërkon LDK’ja dhe as të japë dorëheqje. Shefja e shtetit i ka mbajtur një leksion partisë së Isa Mustafës se si duhet të vazhdojë të jetë pjesë e këtyre komisioneve për t’i çuar përpara reformat që burojnë nga marrëveshja politike e vitit të kaluar.
Sipas Jahjagës, dorëheqja e Presidentit nuk parashihet as në marrëveshjen politike as në Rezolutë dhe as në amendamentet e propozuara për ndryshimin e Kushtetutës.
Në fakt, marrëveshja politike Thaçi-Mustafa-Pacolli, e kthyer në rezolutë në Kuvend, ka paraparë afate për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, afate këto të shkelura nga të gjitha partitë, njofton express.
Situata është komplikuar edhe më shumë, kur në korrik të këtij viti është publikuar vendimi i Gjykatës Kushtuese, që thotë se mandati i Presidentit nuk mund të shkurtohet me ndryshime kushtetuese. Pas kësaj, LDK ka kërkuar zbatimin e marrëveshjes, largimin e Jahjagës si kusht për vazhdimin e reformave, ndërsa PDK ka insistuar te zbatimi i vendimit të Gjykatës./standardi.info