Kalo te lënda

Gjykatësit e Shitën Tokën e Shtetit

Dhjetë persona, shumica gjykatës, akuzohen se i kanë shkaktuar dëm vendit rreth 60 milionë euro duke e tjetërsuar pronën shoqërore të ish-Kombinatit Bujqësor Industrial (KBI) në pronë private, në kundërshtim me ligjet përkatëse, në vitet 2006 dhe 2007.

Dhjetë persona, shumica e tyre përgjegjës për të ndarë drejtësi në vend për më se një dekadë, gjenden në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Qarkut në Prizren.
Ata ngarkohen se kanë tjetërsuar pronën nga shoqërore në private, veprime të cilat supozohet se i kanë shkaktuar dëm vendit për rreth 60 milionë euro.
Listës i prin ish-kryetari i gjykatës komunale të Prishtinës, Nuhi Uka, që e ka drejtuar këtë shtëpi drejtësie viti 2000 deri më 2010. Aktakuza ngarkon po ashtu edhe Olga Janicijeviçin gjykatëse civile e punësuar në gjykatën komunale në Prishtinë nga viti 2003- 2010, Ekrem Agushi gjykatës civilist pranë gjykatës së qarkut në Prishtinë nga viti 2003- 2010, Ferid Bislimi gjykatës civilist në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë nga viti 2004- 2010, Sanije Muqolli gjykatëse civile në gjykatën komunale në Prishtinë nga viti 2000- 2010, Shemsije Sheholli gjykatëse civile komunale në Prishtinë 2000- 2010, Rrahman Retkoceri gjykatës civilist në gjykatën e qarkut në Prishtinë nga viti 2003- 201 dhe Tihomir Mikaric gjykatës civil në Prishtinë nga viti 2003- 2010. Aktakuza ngarkon edhe Hasnije Balidemajn, zyrtare e NSh “KBI” nga viti 2000- 2006 dhe Gazmend Gashin, jurist në komunën e Prishtinës, i punësuar në drejtorinë për financa dhe çështje pronësore nga 2001- 2006.
Gashi nga viti 2006 ka regjistruar formalisht biznes për ofrim të shërbimeve juridike ndaj qytetarëve privatë të Kosovës. Zyra e tij gjendet në pronën e të pandehurit Nuhi Uka, në Prishtinë. Ai ka mbajtur këtë patundshmëri pa pagesë të qirasë që nga viti 2006, thuhet në aktakuzën prej 79 (shtatëdhjetenëntë) faqesh të prokurorit të EULEX-it Joachim Stollberg që e posedon Gazeta Jeta në Kosovë.
Pritej që të zhvillohej seanca e konfirmimit të aktakuzës, të enjten, por siç duket aftësia profesionale e këtyre të pandehurve bëri që seanca gjyqësore të shtyhet. Disa nga të pandehurit nuk kishin angazhuar mbrojtës, edhe pse mbrojtja për këto vepra penale, sipas ligjit, është e obliguar. Si rezultat i kësaj, gjykatësi Vitor Pardal, ua tërhoqi vërejtjen se do t’ u angazhohen mbrojtës sipas detyrës zyrtare, nëse të njëjtit në seancën e radhës, e cila do të mbahet më 24 shtator, nuk do të angazhojnë mbrojtësit e tyre.
Tetë të pandehurit, Nuhi Uka, Olga Janicijeviç, Ekrem Agushi, Ferid Bislimi, Sanije Muqolli, Shemsije Sheholli, Tihomir Mikaric dhe Rrahman Retkoceri, ngarkohen me veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose autorizimit nga neni 339 të KPK-së, vepër kjo e dënueshme me burgim deri në tetë vjet.
Gjatë periudhës ndërmjet viteve 2006- 2007, të pandehurit e lartëcekur, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, shpërdoruan pozitat e tyre zyrtare duke lëshuar qëllimisht dhe në mënyrë të kundërligjshme të drejta pronësore në 15 raste të tokës së ndërmarrjes në pronësi shoqërore.
Në veçanti, dy raste ishin vendosur nga Sanije Muqolli, një rast nga Shemsije Sheholli, nëntë raste ishin vendosur nga Olga Janicijeviç dhe tri raste nga Tihomir Mikaric dhe një rast ishte vendosur nga Rrahman Retkoceri me anëtar të panelit Ferid Bislimi dhe Ekrem Agushi.
Kjo veprimtari ishte zhvilluar në kundërshtim me rregulloren përkatëse të UNMIK- ut e cila përcakton që kompetencën primare për kërkesat tokësore ndaj ndërmarrjeve pronësore shoqërore i ka Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme.
Rezultati ishte që këta gjykatës, kishin urdhëruar, në kundërshtim të së drejtës materiale, kthimin tek paditësit të pronave me vlerë të lartë në shkëmbim të një shume modeste kompenzimi. Këta urdhra ishin në shkelje të së drejtës materiale. Kompenzime të tilla ishin në shproporcion të madh me vlerën momentale në treg të Kosovës, thuhet në aktakuzën e Eulex- it, të siguruar nga Gazeta JnK.
U dhanë prioritet rasteve që nuk ishin emergjente
Të pandehurit, kishin prishur rendin kronologjik të rasteve të caktuara në gjykatë, duke iu dhënë prioritet këtyre 15 kërkesave pronësore për tokat, edhe pse ato nuk ishin emergjente.
Të pandehurit gjithashtu i gjykuan dhe i finalizuan këto raste të ndërlikuara brenda një kohe shumë të shkurtër, që është e pazakonshme për rastet e kësaj natyre.
Gjatë periudhës kohore 2006- 2007, Olga Janicijeviç, Sanije Muqolli, Shemsije Sheholli dhe Tihomir Mikaric, në pozitat e tyre si gjykatës në gjykatën komunale në Prishtinë dhe Rrahman Ratkoceri, Ekrem Agushi dhe Ferid Bislimi, në pozitat e tyre si gjykatës në gjykatën e qarkut në Prishtinë (gjykatës të shkallës së dytë), me qëllimin për të nxjerrë përfitime të paligjshme pasurore, kanë nxjerrë vendime të paligjshme në 15 rastet e tokave lidhur me NPSH-të.
Pavarësisht udhëzimeve të qarta, një rast në vitin 2006 dhe 14 raste të tjera në vitin 2007 ishin vendosur në mënyrë të paligjshme nga ana e gjykatës komunale të Prishtinës, pa referim nga Dhoma Speciale e Gjykatës Supreme.
Nuk e provuan vërtetësinë e kontratave
Gjatë gjithë procedurës, të pandehurit, megjithëse të obliguar me ligj, nuk arritën të siguronin prova dhe fakte për të vërtetuar që paditësi që kishte paraqitur padinë civile, ishte me të vërtetë pronari i ligjshëm i pronave të pretenduara.
Përveç kësaj, ata nuk kishin arritur që të konfirmonin autenticitetin dhe efektet ligjore të kontratave të shitjes, që i ishin paraqitur gjykatës si prova se toka ishte shitur me të vërtetë nga paditësi apo paraardhësit e tij tek ndërmarrja në pronësi shoqërore (NPSH) disa dekada më parë.
Po ashtu, të pandehurit nuk kishin mundur të konfirmonin autenticitetin e certifikatave të vdekjes, që i ishin paraqitur gjykatës si provë se paditësit ishin me të vërtetë trashëgimtarët e pronarëve historikë të tokës. Këto dështime kishin sjellë rezultat dëmtimin e NPSH-së, sepse toka ishte menaxhuar pa vërtetuar gjendjen faktike të pronësisë.
15 kërkesat pronësore- juridike për tokën, që janë objekt i akuzës, ishin të bazuara dhe zgjidhura sipas dispozitave të ligjit mbi Obligacionet të vitit 1978. Ky ligj i veçantë zbatohet vetëm për kërkesat pronësore- juridike që përfshijnë kontratat që janë vërtetuar pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Në këtë rast, të gjitha 15 kontratat, ishin trajtuar në vitet 1950- 1960. Prandaj, ligji mbi obligacionet nuk mund të përdorej si bazë ligjore për këto 15 raste.
Si rezultat i kësaj, të pandehurit e lartëcekur, akuzohen se kanë kryer veprën penale të nxjerrejs së vendimeve të kundërligjshme gjyqësore, për të cilën vepër Kodi Penal i Kosovës, ka paraparë dënimin me burgim deri në pesë vjet.
Ndihmuan në shpërdorimin e pozitës zyrtare
Të pandehurit Hasnije Balidemaj dhe Gazmend Gashi, akuzohen për veprat penale të ndihmës në shpërdorimin e pozitës zyrtare apo autorizimit, vepër kjo e dënuar deri në pesë vjet burgim. Hasnije Balidemaj, ka përfaqësuar 15 rastet e tokave në gjykatë edhe pse nuk ishte e punësuar nga KBI. Marrëdhënia e saj e punës ishte ndërprerë që në vitin 2006, një vit para se ajo të merrej me këto raste. Ajo ishte e autorizuar nga eprori i saj Iljaz Haxhiu (tash i vdekur), i cili ishte i shkëputur nga puna po në të njëjtën kohë.
E pandehura Balidemaj dhe gjykatësit tjerë, ishin në dijeni të plotë me rregulloren e UNMIK-ut, sipas së cilës vetëm AKM, kishte mandat për të përfaqësuar NPSH- të, në procedurat gjyqësore. Sipas të njëjtës rregullore, AKM duhet të njoftohej nga paditësi përpara procedurave gjyqësore, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur në këtë rast, gjë që ia ka lehtësuar punën të pandehurës Balidemaj, që të përfaqësonte NPSH-në, në procedurat gjyqësore e këtë të mos e bëjë AKM-ja, siç parashikon ligji.
Meqë e pandehura Balidemaj nuk ishte e punësuar nga KBI, ajo nuk merrte ndonjë rrogë formale për përfaqësimin e saj në procedurat gjyqësore. Fakti që ajo ka marrë pjesë në këto 15 seanca gjyqësore, pa qenë e punësuar dhe e paguar nga NPSH, lë të kuptohet se ajo duhet të jetë kompensuar përmes kanaleve tjera, apo të paktën asaj i është premtuar se do të kompensohej në ndonjë formë për përfaqësimin e saj, thuhet në aktakuzën  prokurorit Stollberg. Madje është vërtetuar se e pandehura Balidemaj dhe eprori i saj Iljaz Haxhiu, kanë pranuar një total prej tre pagesash, që janë drejtpërdrejt të lidhura me tre nga rastet.
I pandehuri Gazmend Gashi, dhëndri i të pandehurit Nuhi Uka, në pozitën e tij si avokat i palës paditëse, ka përfaqësuar paditësit në 6 nga 15 rastet që janë gjykuar në gjykatën komunale. Gashi, ka pasur dijeni të plotë mbi kompetencën e Dhomës Speciale të Gjykatës Supreme, por ka injoruar kërkesat ligjore për referim ndaj tyre. Më tej i pandehuri Gashi, qëllimisht nuk ka njoftuar AKM-në, mbi procedurat gjyqësore, ashtu siç kërkon rregullorja e UNMIK- ut. Ai ka pasur marrëveshje me paditësit, që atij t’ i paguhet një shumë fikse të hollash pas shpalljes së vendimit. Prandaj ai ka pritur që të përfitonte nga pjesëmarrja e tij në këto procedura të paligjshme gjyqësore.
Ndihmuan në nxjerrjen e vendimeve të paligjshme Në pikën e katërt dhe të fundit të aktakuzës, të pandehurit Nuhi Uka, Hasnije Balidemaj dhe Gazmend Gashi, akuzohen për vepern penale të ndihmës në nxjerrjen e vendimeve të paligjshme gjyqësore.
Nuhi Uka, duke e përdorur pozitën e tij si kryetar i gjykatës komunale në Prishtinë, i ka ndarë lëndët në mënyrë të paligjshme, me qëllimin për të nxjerrë vendime të paligjshme me anën e gjykatësve të veçantë. Pasi i’u kërkua nga AKM-ja, që të ndalonte këtë mënyrë veprimi të paligjshëm, duke mos ju referuar Dhomës Speciale, ai fillimisht zgjodhi që të mos bindej dhe kështu u mundësoi gjykatësve tashmë të pandehur që të nxirrnin vendime të paligjshme gjyqësore në këto 15 raste.
Hetimi, nuk arriti të provonte që ky i pandehur kishte përfituar materialisht, por ka pak gjasa që i pandehuri Uka të ketë marrë pjesë në këto veprimtari të paligjshme që prekin miliona euro, pa pritur që do të nxirrte ndonjë përfitim për veten e tij.
Kjo dhjetëshe, do të ballafaqohet me organet e drejtësisë më 24 shtator, ku edhe do të mbahet seanca e konfirmimit të aktakuzës, ndërsa seancat e radhës u caktuan në datat 12, 18 dhe 19 nëntor. Rezervimi i datave në muajin nëntor la të kuptohet se kjo aktakuzë do të konfirmohet dhe më pas do të vazhdohet me shqyrtimin kryesor.

nga  Petrit Kryeziu

Lini një koment