Fundi i miqësisë, apo miqësi politike?!
U afruan shumë këto vitet e fundit. Ishin bashkë kundër shefit të partisë për të mos hyrë në koalicion me ARK-në dhe në shumë çështje tjera, kryesisht ato të organizimit të partisë. Në shumëçka u pajtuan, bile u spekulua shumë që pas zgjedhjeve do të themelonin edhe parti politike si rezultat i pakënaqësisë ndaj liderit. I njohën të gjithë si “blloku” i fuqishëm i PDK-së, ndërkaq sot gjërat kanë ndryshuar. Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi kanë qëndrime të kundërta sa i përket dialogut me Serbinë. Limaj, i dyti më i votuar pas Hashim Thaçit në PDK, thotë se “Kosova e ka përcaktuar fatin e saj dhe nuk kemi nevojë të bisedojmë më Nikoliqin”.
Edhe pse qëndrimet e tij nuk janë në kontinuitet te relacioneve politike në vend, Jakup Krasniqi, kryetar i legjislativit, poashtu ndër më të votuarit në PDK kohë të fundit është i prerë në atë çfarë e thotë: “Jemi për bisedime edhe me qytetarët serb të Kosovës, por edhe me Beogradin, por dëshirojmë që në këto bisedime Kosova dhe Serbia t’i heqin qafe të gjitha pengesat dhe mosmarrëveshjet që i kemi si dy vende fqinjë”. Ky mund të jetë vullneti i personal, mund të jetë ndërkombëtar, nuk i dihet, shkruan Tribuna Shqiptare.
Fundi i miqësisë, apo miqësi politike?! Kjo mbetet të shihet. E vërteta është se ata i bëri bashkë lufta kundër Serbisë, ndërsa bisedimet me këtë të fundit po i ndajnë. Tashmë në pozicione të ndryshme. Krasniqin të mbështjellë me petkun e pushtetarit, ndërsa Limajn veçse deputet, të deleguarin e mbi 70 mijë votuesve. Në prizmin e analistëve kjo ngjallë refleksione të tjera, por e vërteta është se Limaj dhe Krasniqi po ndahen në një qështje substanciale, politike, strategjike dhe kombëtare, atë të qasjes së re të Kosovës ndaj Serbisë. Dhe kjo të shpie tek një rezultat i thjesht logjik, se ata i bën bashkë vetëm Hashim Thaçi, ‘lufta’ kundër tij dhe përpjekjet për të marrë kreun e PDK-së!./Indeksonline/