Kalo te lënda

Diplomacia jonë e lodhur nga problemi “Veri”

Lansohen dokumente sekrete për zgjidhjen e çështjes së veriut. Dokumente me përmbajtje të rëndë mund të zbulohen përditë, por askush nuk ka nevojë të frikësohet nga “konspiracionet” që mund të nxiten nga të tilla dokumente, ka thënë një zyrtar i Këshillit të BE-së.

Reagimi ka të bëjë me dokumentin, përmbajtja e të cilit të enjten është publikuar në Zëri me idenë e takimeve sekrete mes lidershipit kosovar dhe atij serb, që të gjejë zgjidhje për veriun e Kosovës.

 

“Shumë pak nga thashethemet janë verifikuar të vërteta, edhe pse më duhet ta pranoj që një apo dy janë vërtetuar. Më duhet të them se ka shumë dokumente e ide që qarkullojnë, mirëpo padyshim për shumë pak prej tyre arrihet pajtimi. Gjithsesi më duhet të them se nuk ka kurrfarë plani të madh apo konspiracion. Kur është në pyetje veriu i Kosovës, shumica e vendimmarrësve në Perëndim thjesht vetëm duan ta heqin qafe problemin. Ata duan të kthejnë në vendet e tyre apo t’i dërgojnë trupat ushtarake e policore diku tjetër dhe të merren me ekonomi. Kjo situatë po na kushton të gjithëve shumë para”, ka thënë ky zyrtar.

 

Sipas këtij dokumenti, ka qenë e planifikuar që deri në prill të këtij viti të përfundojnë “diskutimet diskrete” mes Prishtinës dhe Beogradit përgjatë të cilave, ndër të tjera, veriu do merrte statusin e territorit të veçantë. Serbët e komunave të veriut do të fitonin të drejta të mëdha të përfaqësimit.

 

I njëjti dokument gjithashtu thoshte se kishat dhe manastiret ortodokse serbe do të fitojnë një status të veçantë.

 

Mirëpo një nga pjesëtarët e qeverisë që janë ndër më të angazhuarit edhe për çështje dialogu, Vlora Çilaku, aktualisht ministre për Integrime Evropiane, i ka thënë Zërit se asnjëherë nuk ka pasur e as që do ketë bisedime sekrete.

 

“Nuk ka pasur asnjë takim apo bisedim sekret. Thënë të drejtën sintagma biseda sekrete më shumë është një trashëgimi e luftës së ftohtë, dhe e papranueshme si dhe e papajtueshme me parimet e demokracisë, transparencës dhe integrimeve”, ka thënë përmes telefonit ministrja Çitaku.

 

Sidoqoftë, njohës të rrethanave politike në Kosovë vlerësojnë se kjo metodë vazhdon të përdoret kur bëhet përpjekje që zgjidhjet e problemeve të ndjeshme të arrihen më kollaj. Analisti politik Ylli Hoxha vlerëson se ajo që është botuar në gazetën “Zëri” është kredibile pasi “bisedimet sekrete janë praktikë jo pak e eksploatuar në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ato kanë për qëllim krijimin e një konteksti të përshtatshëm për diskutimin e çështjeve të ndjeshme, larg presionit të opinionit publik.

 

Hoxha gjithashtu vlerëson se Kosova e ka një temë të tillë shumë të ndjeshme, më saktë Veriu që gjithashtu ka peshë të lartë politike dhe gjithmonë sipas analistit Hoxha, padyshim se “do të kualifikohej si rast tipik për aplikimin e këtij instrumenti diplomatik”.

 

Në Kosovë jo rrallë herë është raportuar për takime sekrete apo ato që nuk i ka ditur askush deri vonë. Më të njohurat deri më tash janë ato mes Hashim Thaçit dhe Boris Tadiqit, të zbuluara nga kabllogramet e ambasadave amerikane, kur këto u publikuan nga faqja e internetit Ëikileaks. Disa javë pas hezitimit që të flasë për këto takime, Thaçi e kishte pranuar se përpos Vjenës, është takuar me Tadiqin edhe në Greqi dhe Nju- Jork.

 

Analisti Yll Hoxha konsideron se në Kosovë ka nevojë tejet të madhe për transparencë lidhur me zhvillimet e tilla, siç janë takimet e mundshme mes zyrtarëve të ndryshëm. Hoxha mendon se Parlamenti është vendi ku kryeministri do të duhej të raportonte për takimet e mundshme sekrete.

 

Në fakt, Parlamenti ishte anashkaluar jo pak në lidhje me dialogun teknik që është nisur në mars të vitit të kaluar dhe është ndërprerë në shkurt të këtij viti. Njëjtë kishte vepruar edhe Serbia, mirëpo pushteti i ri duket se do t’i japë rol të rëndësishëm parlamentit serb në dialogun politik që pritet të nisë së shpejti.

 

Sipas shefit të parlamentit serb, Nebojsha Stefanoviq, duke folur të enjten për programin e mëngjesit të televizionit shtetëror serb ka thënë se Parlamenti së shpejti do e prezantojë platformën e shtetit fqinj për dialogun me Kosovën, ndërsa i njëjti institucion do përcaktojë vijat e kuqe për ekipin negociator të Beogradit.

 

“Parlamenti është vendi i duhur ku duhet diskutuar dhe trajtuar cilët janë ata kufij që negociatorët tanë mund të negociojnë dhe çka mund të thonë përgjatë dialogut dhe kështu më pas të mbrojnë interesin e Serbisë”, ka thënë në RTS, Stefanoviq.

 

Në Kosovë pushtetarët më shumë preferojnë unitet politik duke mos e përmendur pothuajse fare rolin e parlamentit të Kosovës, pavarësisht se tash do të diskutohet edhe për rreth 20 % të territorit të Kosovës, njofton zëri.

 

Ylli Hoxha vlerëson se “vetë pranimi i Veriut si çështje të negociueshme flet për gatishmërinë e kësaj qeverie për lëshime që shkojnë përtej Pakos së Ahtisaarit. Duke pas parasysh faktin se të drejtat joterritoriale për pakicat në këtë Pako janë të konsumuara tërësisht, ndërsa dihet se aspirata e Serbisë është kryekëput territoriale, dyshimet se ky proces do te rezultojë me një marrëveshje qe jep autonomi territoriale për serbët e veriut janë edhe legjitime por edhe të logjikshme”./standardi/

Lini një koment