Xhakaliu: Investoni në Kosovë
Ambasadori i Republikës së Kosovës në RF të Gjermanisë, Skënder Xhakaliu përmes një shkrimi autorial të botuar në Revistën Diplomatike gjermane, u ka bërë thirrje investitorëve gjermanë që të investojnë në Kosovë.
Xhakaliu në shkrim ka prezantuar progresin që ka arritur Kosova në të gjitha fushat, me theks të veçantë në kushtet e favorshme të krijuara për stabilitet të qëndrueshëm ekonomik dhe politik. “Republika e Kosovës është shndërruar në një qendër të rëndësishme lidhëse në Evropën Qendrore dhe atë Juglindore, si dhe në Detin Adriatik dhe Detin e Zi”, shkruan ndër të tjera Xhakaliu.
Ambasadori ka prezantuar në detaje edhe resurse e shumta ekonomike të Kosovës, duke vënë theksin në resurset njerëzore duke e ilustruar këtë me faktin se mbi 50% e popullsisë është nën moshën 25 vjeçare.
“Për të tërhequr investitorë nga jashtë, posaçërisht nga Gjermania, ky shtet i vogël ballkanik gjatë viteve të fundit ka punuar shumë. Kosova ka arritur progres të dukshëm në zhvillimin e një tregu ekonomik te lirë dhe modern. Në vitin 2011 Republika e Kosovës pati një rritje ekonomike prej 5,5%, kurse për vitin 2012 pritet një rritje ekonomike prej 4,5%. Me valutë zyrtare Euron dhe me një kuotë të inflacionit prej vetëm 3%, gjatë pesë viteve e fundit, Kosova ka arritur të krijoi një ambient makroekonomik shumë stabil”, thotë Xhakaliu. Ai ka bërë të ditur se për investimet dhe bizneset është krijuar një klimës shumë e favorshme me normë të ulët dhe me një sistem të thjeshtë të tatimeve.
“Republika e Kosovës ka një nga regjimet më liberale të tregtisë në Evropë me një norme tarifore prej vetëm 10% për importin dhe 0% për eksportin. Kosova është po ashtu anëtare e Marrëveshjes së CAFTA-s dhe gëzon një qasje tejet të favorshme si në tregjet e Bashkimit Evropian po ashtu dhe në ato të SHBA-ve”. Ai ka dhënë informata edhe rreth avancimit të legjislacionit kushteve të sigurisë për investitorët.
Ambasadori Xhakaliu po ashtu ka folur për mundësitë shumë të favorshme për zhvillimin ekonomik në të ardhmen para se gjithash në sektorin e energjetikës, potencialin shumë atraktiv nga minierat me pasuri natyrore si plumb zink, nikel, uraniumi, argjend, ari, bakër dhe magnezit, në sektorin e bujqësisë si dhe përmes ndërtimit të një industrie vendore më inxhinieri të thjeshtë, industri ushqimore, veshje, mobile etj.
“Sot mund lirisht të themi që Republika e Kosovës është një shtet shumetnik demokratik, i cili me vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar, në fillim të Shtatorit të këtij viti do marrë sovranitetin e plotë. Shpresa e Kosovarëve është që vendlindja e tyre ne një afat jo shumë të largët të bëhet pjesë e Bashkimit evropian”, thotë Xhakaliu, në shkrim.