VV: Qeveritarët i harruan dëshmorët e edhe të pagjeturit
Lëvizja “Vetëvendosje”, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të pagjeturve, vlerëson se sot, Kosovës i mungon shumëçka, por më së shumti na mungojnë 1785 persona që nuk janë numra, nuk janë statistika, dhe në këtë ditë mijëra familje në Kosovë, nuk dinë ende të vërtetën e më të dashurve të vet.
“Të pagjeturit, 13 vjet pas luftës ngjizin dhembje, krenari dhe obligim. Dhimbje sepse po jetojmë pa ta, krenari sepse ishin promotor dhe pjesë e historisë tonë të re e të lavdishme, por edhe obligim që të ndriçojmë fatin e 1785 personave të pagjetur”.
Sipas VV-së të pagjeturve u kanë ndodhur 3 krime, së pari vrasja nga Milosheviçi; së dyti, fshehja e tyre prej Nikoliçit e Daqiçit; e së treti harresa e tyre prej qeveritarëve në Kosovë.
“Nikoliç dhe Daçiç janë përgjegjës kryesorë politikë dhe duhet të japin llogari për këtë çështje. Kryeministri Thaçi po kërkon të bisedojë me ta, ama jo për të zbardhur fatin e të pagjeturve e për t’ia kthyer familjarëve, por për dhënën veriun. Me ta nuk duhet të ketë takime për tokën tonë. Ata duhet të paditen në gjykatat ndërkombëtare për gjenocid ndaj popullsisë në Kosovë si dhe për fshehjen e 1785 të rrëmbyerve gjatë luftës”, thotë kjo lëvizje.
VV pohon se çështja e të pagjeturve është çështje e të gjithë popullit shqiptar. Ata nuk u vranë ngase i përkisnin ndonjë familjeje të veçantë, ata u vranë pse ishin shqiptarë. Çështja e të pagjeturve është krim i vazhdueshëm. Është krim për çdo ditë, sepse për ta nuk ka pasur e as nuk ka drejtësi. Në përgjithësi, të pagjeturit shqiptarë nuk janë përmendur e kërkuar nga asnjë qeveri e pasluftës e as nga qeveria aktuale e Kosovës. Të pagjeturit janë braktisur. E, kur të pagjeturit Qeveria nganjëherë i quan të zhdukur, kjo paraqet indikacion se kërkimi i ta pagjeturve realisht është shpallur i mbyllur, pa filluar mirë asnjëherë.
“Për më tepër, edhe pse Kuvendi i Kosovës e votoi mocionin kundër bisedimeve me Serbinë pa u zbardhur fati i të pagjeturve, strukturat e partisë në pushtet kanë bërë gjithçka që ta injorojnë këtë, përfshirë këtu edhe mosnënshkrimin e këtij mocioni nga Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi. Bisedimet me Serbinë asnjëherë nuk u kushtëzuan me këtë çështje, e tani nuk po duan ta zbatojnë Rezolutën e Kuvendit”.
“Nuk mund të shkohet në dialogu për veriun pa shkelur mbi të pagjeturit por ata që shkelën mbi gjakun e dëshmorëve e kanë kollaj të shkelin edhe mbi të pagjeturit, e këtë vetëm për të qëndruar në pushtet. Politika e zyrtare e Qeverisë më e pakta që duhet të formulojë si qëndrim është: “Jo në BE një Serbi me 1785 të rrëmbyer shqiptarë”, deklaron VV.
Ata thonë demokracia dhe funksionimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës sot është i varur nga gjetja e të pagjeturve.
“Në qoftë se qeveria shkon në dialog me Serbinë kjo do të thotë se vihet në pikëpyetje kuptimi i Kuvendit si institucion si dhe vihet në pikëpyetje vetë statusi i deputetit si dhe kuptimi i votimit të tij. Meqë është ky Kuvend që ka miratuar me 10 maj 2012 Rezolutën në të cilën kushtëzohet çdo dialog apo marrëdhënie me Serbinë deri në kthimin e të pagjeturve”, thotë Lëvizja “Vetëvendosje”.
Në Kosovë shënohet çdo ditë ndërkombëtare që prej Ditës kundër duhanit e AIDS e deri tek Dita e Evropës, por Dita ndërkombëtare e të pagjeturve lihet në harresë. Kjo sepse për mbetjen e të pagjeturve në mëshirën e Serbisë, përgjegjës janë qeveritarët tanë./Indeksonline/