Kalo te lënda

Njohja nga Serbia do të sjell normalizim të mardhënieve!

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj priti të enjten në takim njohës ambasadoren e re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Jacobson. Me këtë rast ministri Hoxhaj, tha se është kënaqësi e veçantë që t’i urojë mirëseardhje ambasadores së SHBA-ve në Kosovë me të cilën biseduan për progresin që ka arritur Republika e Kosovës në të gjitha fushat.

Ministri Hoxhaj me këtë rast i falënderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm që kanë dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. “Kosova është shumë mirënjohëse ndaj SHBA-së për kontributin e tyre të madh për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. SHBA kanë qenë partner i fuqishëm i lirisë dhe demokracisë tonë, mirëpo në të njëjtën kohë kanë qenë partner të fuqishëm të një Kosove shumë etnike, demokratike’, tha Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj e informoi ambasadoren Jacobson për zhvillimet nëpër të cilat po kalon Kosova dhe kërkoj ndihmën e SHBA-ve për rrugën e integrimit euroatlantik të Republikës së Kosovës.

Sa i përket përmbylljes së plotë të njohjes së Kosovës së pavarur, ministri Hoxhaj tha se ky është një proces për të cilin askush nuk mund ta ndal rrjedhën që njohjet e reja të vinë drejt Kosovës dhe që pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm.

Ministri Hoxhaj  tha se se normalizimi i marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe republikës së Serbisë duhet t’i paraprijë njohja e Kosovës nga ana e Serbisë.  “Ne jemi të interesuar që të kemi një proces të normalizimit të relacioneve tona dhe jemi po ashtu që përmes procesit të normalizimit, të dy vendet tona të integrohen në bashkimin evropian si vende të pavarura dhe sovrane”.

Në anën tjetër, ambasadorja Jacobson pas takimit me Ministrin Hoxhaj i ka cilësuar si të shkëlqyera bashkëpunimi dhe marrëdhëniet bilaterale me Kosovën.  Ajo tha se sa përket përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur, për Republikën e Kosovës është një e arritur historike.

Ndërkaq, sa i përket dialogut të ardhshëm mes Serbisë dhe Kosovës, Jacobson tha se kjo do të sjellë normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. “Është me rëndësi për zhvillimin e mëtejmë ekonomik, stabilitetin rajonal si dhe përparimin e dy vendeve në rrugën evropiane”. /Telegrafi/

 

Lini një koment