Nishani: Kosova, kryefjala e aktiviteteve të mia
(E plotësuar) Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani të enjten para deputetëve të Kuvendit të Kosovës deklaroi se Kosova do të jetë kryefjala e aktiviteteve të tij për shtimin e njohjeve të reja, ndërkohë që shprehu mbështetjen e Shqipërisë për bisedimet Kosovë-Serbi, si dy shtete të pavarura e sovrane. Nishani në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, transmeton Telegrafi, tha se shqiptarët nuk duhet të harrojnë vuajtjet, sakrificat e momentet e mbijetesës dhe përmes kësaj kujtese të shikojnë drejt së ardhmes. Për kreun e shtetit shqiptarë, për Kosovën po hapet një kapitull i ri, si shtet sovran e i pavarur pa mbikëqyrje ndërkombëtare. Ai tha se Shqipëria ka qëndrim të palëkundur sa i takon çështjes së Kosovës, duke thënë se pavarësia dhe integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm, në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht. Presidenti shqiptarë deklaroi se Shqipëria mbështet bisedimet Kosovë-Serbi për çështjet praktike, si dy shtete të pavarura e sovrane. Ai tha se mbështet vijat e kuqe të Prishtinës zyrtare për bisedimet me Serbinë, ndërkohë që sipas tij, marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen. Ai deklaroi se shqiptarët ndonëse të ndarë në disa shtete kanë për alternativë integrimin në strukturat euro-atlantike. Presidenti i Shqipërisë gjatë adresimit në Kuvendin e Kosovës tha se shqiptarët janë në betejë për fituar kohën. Në fillim të fjalimit të tij para ligjvënësve të Kosovës, Nishani shprehu nderimin e tij për presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova, komandantin legjendar, Adem Jashari, për luftëtarët e martirët, ndërsa shprehu mirënjohje edhe për faktorin ndërkombëtar që bazuar në vlerat demokratike veproi për të shpëtuar një popull liridashës nga spastrimi etnik.
Prishtinë, 30 gusht – Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, i cili ka mbërri në Kosovë qysh mbrëmë, në një vizitë treditore, sot u takua me homologen e Kosovës Atifete Jahjaga. Ndërkohë, në orën 12 e 30 minuta ai do t’u drejtohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët sot filluan sesionin vjeshtor, me një rend të dendur pikash. Kosova e pavarur është tashmë një realitet dhe se Kosova është faktor i domosdoshëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.. Kështu është shprehur presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, në konferencën e përbashkët për shtyp me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, pas takimit që zhvilluan sot.
Nishani tha se Shqipëria ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë shtetin e ri dhe se dy vendet ndajnë sfida të përbashkëta.
Nishani ka përshëndetur punën e institucioneve të Kosovës dhe të gjithë atyre që kanë kontribuar që Kosova të arrijë në përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur.
Jahjaga është shprehur se e çmon dëshirën e Presidentit Nishani që vizitën e parë ta bëjë pikërisht në Kosovë, sepse kjo e ka porosinë dhe simbolikën e vet në këtë “100-vjetor të pavarësisë së Shqipërisë, për të cilën të parët tanë dhanë kontribut të jashtëzakonshëm”.
Duke folur për vazhdimin e dialogun të Kosovës me Serbinë, presidenti Nishani ka thënë se Shqipëria mbështet të gjitha agjendat e institucioneve të Kosovës. Ai ka shtuar se dialogu është mënyra më efikase e trajtimit dhe zgjidhjeve të çfarëdo problemit, i cili krijon parakushte për të fituar fryma e pajtimit dhe prosperimit kah rruga e Integrimit
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga nga ana e saj tha se bashkëpunimi me Shqipërinë është i plotë. Sa i takon dialogut me Serbinë, presidentja e Kosovës tha se ai duhet të jetë i qëndrueshëm. Pas takimit me Jahjagën, Presidenti Nishani do të takohet edhe me kryeministrin Thaçi, e po ashtu edhe me parlamentarë të Kosovës e personalitete të tjera të jetës publike atje.
Nishani do të ketë takime të veçanta edhe me kryetarin e Komunës së Prishtinës Isa Mustafa, me zëvendëskryeminstrin Behgjet Pacolli, me drejtuesin e Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti dhe me autoritete të tjera vendore në Kosovë, si dhe me zëvendëskryeministrin, Sllobodan Petroviç. Ai po ashtu do të vizitojë edhe muzeun e Lidhjes së Prizrenit, shtëpinë e Haradinajve, si edhe mbajtjen e një fjale në Universitetin AAB.