Kalo te lënda

Mustafa: Qëllimi i Thaçit, shkelja e marrëveshjes

Ndonëse presidentja e vendit Atifete Jahjaga deklaroi se dorëheqja e saj nuk është e paraparë as me marrëveshjen politike, as me amendamente kushtetuese, e as me reformën zgjedhore, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i është përgjigjur asaj se krejt kjo punë është e paraparë edhe me marrëveshjen politike, edhe me rezolutën e miratuar në Kuvendin e Kosovës.

Mustafa ka thënë se qëllimi i kryeministrit Thaçi ishte shkelja e marrëveshjes politike në mes tre liderëve politik.

Kreu i LDK-së ka thënë se partia e tij insiston se ajo marrëveshje duhet të implementohet, raporton “Express”. Ai ka thënë se nuk është LDK-ja ajo që po krijon bllokadë në këtë proces, por, sipas tij, bllokadë bëjnë të gjithë ata që nuk e implementojnë marrëveshjen e arritur politike.

“Ne dëshirojmë se ashtu siç jemi pajtuar me marrëveshjen duhet të pajtohemi edhe me implementimin e kësaj marrëveshjeje. Lidhja Demokratike insiston që marrëveshja të implementohet, marrëveshja të realizohet, sepse është një sprovë shumë e rëndësishme për ne në ndërtimin e një konsensusi dhe të një bashkëpunimi në të ardhmen. Bllokadë ne nuk bëjmë, bllokadë bëjnë ata që nuk e implementojnë marrëveshjen, sepse ne jemi për me e implementu marrëveshjen për arsye se ne e kemi nënshkruar dhe e kemi pru atë marrëveshje, prandaj ne qëndrojmë prapa asaj. Të gjitha ata që nuk e implementojnë marrëveshjen i bëjnë bllokadë procesit, sepse të gjitha çështjet e tjera kanë derivuar nga marrëveshja”, ka thënë ai.

Mustafa ka thënë se të gjitha reformat dhe krijimi i komisioneve reformuese e kanë bazën në marrëveshjen dhe rezolutën e Kuvendit të Kosovës, por ka shtuar se Kryeministri Hashim Thaçi e kishte bërë plan qysh më herët se ai do ta shkelte marrëveshjen politike.

“Ju e keni parë se zotëri Thaçi edhe para se me vendos Gjykata Kushtetuese ka deklaruar dy herë se zgjedhjet do të mbahen në vitin 2014, gjë që shihet qartë se ka pasur për qëllim ta shkelë marrëveshjen”, ka pohuar ai. Mustafa e ka ftuar Kryeministrin Thaçi, Presidenten Jahjaga dhe Kuvendin e Kosovës, që ta respektojnë marrëveshjen dhe rezolutën e cila është aprovuar në Kuvend. /Telegrafi/

Lini një koment