Kalo te lënda

Kuvendi, e nisin ’nxehtë’

Sesioni i ri vjeshtor i Kuvendit të Kosovës nisi me akuza e kundër akuza të ndërsjella ndërmjet pozitës dhe opozitës.

Vendimi për tarifën e çimentos, është shfuqizuar javë më parë, por kërkuesi i kësaj interpalence, Emin Gërbeshi, kërkoi që të vazhdohet me këtë pikë, duke përsëritur kërkesën për dorëheqjen e ministres Kusari-Lila.

 

Ai tha se duhet të jepet llogari për këtë vendim, ngase një vendim i tillë përveç efekteve ekonomike, prodhoi edhe efekte politike, sepse u mor në kohën kur shkëmimi tregtar me Shqipërinë po rritej. “Kemi kërkuar shkarkimin e ministres dhe e kërkoj edhe tani, sepse viktimë e këtyre interesave përsëri ishin qytetarët e Kosovës”, tha ai.

 

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri tha se edhe pse vendimi është shfuqizuar, dikush duhet të jap përgjegjësi. Ai e quajti të paprecedent, seancën e fundit, kur Kuvendi ndërpreu punimet për shkak se deputetët e PDK-së shkaktuan mungesë kuorumi.

 

“Nuk do të dëshironim më të përsëritet dhe ka qenë shembulli më i keq që këtë di ta bëjë vetëm ky kuvend, gjegjësisht ky koalicion, e që i ka prirë ministrja, e cila e pash një deklaratë të saj dhe vërtetë po i them se AKR-ja kurrë nuk mund të jetë si LDK-ja, pajtohem me të plotësisht”, tha Beqiri.

 

Beqiri me këtë deklaratë, po ashtu iu kundërpërgjigj ministres Kusari-Lila, e cila në një intervistë ka thënë se AKR-ja asnjëherë nuk do të bëhet si LDK-ja që të largohet nga koalicioni dhe ta fus vendin në krizë.  Ndërkaq, shefja e Grupit Parlamentar të Koalicionit për Kosovë të Re, Myzejene Selmani, i është kundërpërgjigjur Beqirit, duke ia rikujtuar bllokimin e reformës zgjedhore.

 

“Ka mundësi që qytetarët ta vlerësojnë cili subjekt është ai që i ecë proceset në Kosovë, e cili subjekt është ai që i stopon proceset në Kosovë”, tha ajo. Deputetët në vazhdim të seancës miratuan tri ligje, ndërsa shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Komisionit të Pavarur për Media dhe anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, u shty për seancën e pasdites. Në rend dite, Kuvendi ka edhe debatin parlamentar lidhur me përdorimin e tri kodeve të huaja telefonike në Kosovë.

Lini një koment