Hana Qarkulloi 300 Mijë € në Llogarinë Bankare
Autoriteti Bankar i Kosovës e kishte caktuar Hilmi Hanën, tani i ndjerë, si likuidator të kompanisë së sigurimeve “Kosova”. Kolegji i gjykatësve dëgjoi nga hetuesi policor, Alban Musliu, se policia kishte gjetur se në vetëm njërën nga llogaritë bankare të Hanës kishin qarkulluar 300 mijë euro. Në atë kohë, vlera e lëndëve të kompensuara ka qenë dy milionë euro.
Kolë Pukës, ish-gjykatës nga Klina, i akuzuar për shumë vepra penale dhe i dënuar me pesë vjet burgim, i ndihmonte dikush në realizimin e kërkesave për kompensimin e dëmeve.
Kur kompania e sigurimeve ishte në likuidim, asaj i ishte caktuar një likuidator i cili detyrë kryesore do të kishte pranimin e kërkesave dhe miratimin e kërkesave nga palët e treta që i kishin për kompaninë në likuidim.
Autoriteti Bankar i Kosovës e kishte caktuar Hilmi Hanën, tani i ndjerë, si likuidator të kompanisë së sigurimeve “Kosova”.
Në komision ishin dhe dy persona të tjerë, e të cilët vlerësonin se a janë të vlefshme kërkesat, por që nuk kishin autoritet që të vendosnin. Për kërkesat dhe lejimin e mjeteve vendoste vetë Hana.
Kolegji i gjykatësve në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, gjatë paradites së të mërkurës, dëgjoi nga hetuesi policor, dëshmitar në këtë çështje, Alban Musliu, se si policia kishte gjetur se në llogarinë e Hilmi Hanës kishin qarkulluar 300 mijë euro, dhe atë vetëm në Pro Credit Bank, ndërsa në NLB Prishtina më shumë se 8 mijë euro.
Hanës, policia ia kishte “zbuluar” edhe një pronë në lagjen Dardania në Prishtinë, në hapësirë prej 500 metrash katrorë.
Sipas dëshmitarit Musliu, në kohën sa Hana ishte likuidator, vlera e lëndëve të kompensuara ka qenë më shumë se 2 milionë euro. Ndërkaq, sipas kallëzimit penal, dyshohet se janë keqpërdorur 1 milion e 300 mijë euro, në atë kohë.
Nga raporti financiar që policia kishte bërë, kishte dalë se Hana kishte tërhequr vetëm njëherë 1 mijë euro nga PCB, ndërsa shumica e parave në llogari ishin të deponuara kesh, e aty kishte para edhe nga rroga e tij.
Dëshmitari tha se policia në vitin 2009 kishte ngritur kallëzim penal kundër Hilmi Hanës, edhe pse ai kishte vdekur më 23 gusht 2008. Por, prokurori e përmirësoi dëshmitarin duke i treguar se policia ka përfshirë në kallëzim penal veprimet e Hilmi Hanës, mirëpo nuk e ka përfshirë atë si të pandehur në kallëzim penal.
Dëshmitari Musliu tregoi se në zyrën e të pandehurit, Zef Marleku, gjatë bastisjes i janë gjetur 5 dëftesa të tërheqjes së parave në emër të tij nga i pandehuri tjetër Kolë Puka. Këto dëftesa ishin gjetur në njërën nga dosjet e Zef Marlekut.
Arif Hoti ishte dëshmitari nga Banka NLB Prishtina, i cili dëshmoi për llogarinë e ngrirë të Hilmi Hanës në këtë bankë. Ai njoftoi kolegjin se cfarë veprime kishte ndërmarrë NLB Prishtina pas urdhëresave të lëshuara nga gjykata. Dëshmitari tregoi se gjendja aktuale e llogarisë së Hilmi Hanës ishte 8702 euro.
Avokati Tahir Rrecaj, mbrojtësi i Kolë Pukës, propozoi që si dëshmitar në këtë çështje të dëgjohen Fran Musolli, Ndue Marku, Hanife Raci, Bekim Vrella dhe Fatbardh Makolli. Arsyeja e mbrojtësit të pandehurit Puka ishte se këta dëshmitarë do të provonin bashkëpunimin që kishin pasur Puka e Marleku.
“Zefi e ka ndihmuar Kolën në kryerjen e mashtrimeve”, deklaroi avokati Rrecaj.
Kjo u kundërshtua nga avokati Tomë Gashi, mbrojtësi i të pandehurit Zef Marleku. Sipas tij, këta dëshmitarë nuk janë relevantë për këtë çështje penale, meqë janë të dëmtuar në një çështje tjetër penale.
Prokurori nuk i kundërshtoi asnjërin nga dëshmitarët. Sipas tij, këta dëshmitarë do ta ndihmojnë prokurorinë që ta paraqesë rastin sa më mirë.
Kolegji me vendim pranoi dëgjimin e këtyre dëshmitarëve, po ashtu caktoi 2 tetorin si datë për dëgjimin e tyre.
Avokati Gashi më pas propozoi që si dëshmitar të dëgjohen 32 dëshmitarë të mbrojtjes, të cilët do të tregojnë se çfarë ishin veprimet e Zef Marlekut në këtë çështje, dhe se nga kush i kanë marrë parat e zhdëmtimit.
Kolegji refuzoi një propozim të tillë, por tha se do ta konsiderojë prapë nëse është e nevojshme. Seanca e radhës në këtë çështje do të mbahet me 1 tetor.
Sivjet, në maj, Gjykata e Qarkut në Pejë e dënoi ish-gjyqtarin Puka me 5 vjet burg për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ose të autorizimit. Avokati Lon Palushaj u dënua me tre vjet, dhe mjeku Bedri Bakalli me 6 muaj, që të dy për mashtrim.
Ata akuzoheshin për kurdisje të raporteve nga ndeshjet në komunikacion duke i shkaktuar humbje kompanisë së sigurimeve “Fondi i Garancisë së Kosovës”.
Kurse në korrik, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë të re për Pukën, për veprat penale shpërdorim i detyrës zyrtare, ose i autorizimit, dhe nxjerrje të kundërligjshme të vendimit gjyqësor./gazetajnk/