E shqetëson politika e Berishës me Greqinë!
Ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, ka kritikuar politikën e jashtme të qeverisë së kryeministrit Sali Berisha në raport me Greqinë. Ai ka thënë se është shumë shqetësuese forma e rinegociimit për të arritur një marrëveshje të re për kufirin detar.
“Vetë mënyra si po zhvillohen ngjarjet të them të drejtën është shqetësuese, sepse del ministri i Jashtëm dhe thotë një fjalë, del kryeministri dhe thotë një tjetër, del një deputet thotë dicka tjetër, duke krijuar kështu një kakofoni. Kjo do të thotë që këtu ose nuk janë menduar gjërat, ose fshihen gjërat”, ka thënë Moisiu.
“Sido që të jetë është keq. Unë gjykoj se ne shqiptarët, populli ynë duhet të jetë shumë vigjilent në këtë drejtim. Nuk mund të tregtohet me territorin e vendit qoftë i detit qoftë i tokës, qoftë edhe një pëllëmbë nuk mund të jepen këto për interesa politike afatshkurtra”, ka theksuar Moisiu, raporton Top Channel.
Duke komentuar propozimin e maxhorancës për mbajtjen e një referendumi, për heqjen imuniteteve, Moisiu shprehet se kjo çështje duhet të zgjidhet në rrugë kushtetuese. Ai është i mendimit se duhen gjetur rrugët parlamentare në zgjidhjen e këtij ngërçi që ka përfshirë politikën shqiptare.
Politika shqiptare nuk mund ta ndryshojë Kushtetutën, sipas tekave të saj thotë Alfred Moisiu, i cili deklaron se ligji themeltar i shtetit ka nevojë edhe për ndryshime të tjera. Njëra prej tyre mënyra e zgjedhjes së Presidentit. /standardi.com