VV: Decentralizimi i ka betonuar ndarjet etnike
Derisa kryeministri Hashim Thaçi lavdërohet se Kosova mund të jetë model për shtetet e rajonit dhe më gjerë sa i përket decentralizimit – mirëqeverisjes, pushtetit afër qytetarit, si dhe integrimit të pakicave, Lëvizja Vetëvendosje (VV) pohon të kundërten, duke vlerësuar se rezultati i vetëm që mund të matet nga realizimi i këtij projekti mbetet thellimi i ndarjeve etnike dhe territoriale në Kosovë.
“Pra, decentralizimi në Kosovë është e kundërta e asaj që është proklamuar paraprakisht. Dhe kjo nuk ka ndodh ngaqë decentralizimi si i tillë prodhon këtë pasojë të caktuar domosdoshmërish, por sepse decentralizimi territorial që i është imponuar Kosovës nuk ka qenë në funksion të qytetarit, por që prej fillimit ka qenë dhe mbetët në funksion të akomodimit të ambicieve hegjemoniste të Serbisë që i ka ndaj Republikës së Kosovës”, thuhet në një deklaratë të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Decentralizimi i ndihmon mirëqeverisjes, efektivitetit e dobishmërisë së pushtetit lokal vetëm atëherë kur qytetarët të cilët e ushtrojnë atë pushtet kanë lojalitet paraprak civil, ligjor e politik ndaj shtetit të cilit i përkasin. Në Kosovë ky nuk ka qenë rasti. Kompetenca enorme qeverise së iu kanë dhënë territoreve brenda Kosovës në të cilat ndikimin vendimtar politik dhe administrativ e mbajnë strukturat e kontrolluara nga Beogradi”.
“Këto struktura i financon dhe i dirigjon Serbia që e lufton dhe e minon pavarësinë e Kosovës. Popullata serbe që banon nëpër komunat e krijuara sipas këtij decentralizimi, e në të cilat ndikimin politik e mbajnë strukturat e paligjshme të Serbisë, mbetet peng i këtyre strukturave, prandaj nuk integrohet në jetën shoqërore dhe institucionale të Republikës së Kosovës. Në këtë mënyrë, Serbisë i janë ofruar levat e saj shumë efektive për ta mbajtur vendin tonë vazhdimisht të tendosur dhe me potencialitet të madh destabilizimi”.
“Kurse aty ku ka pasur decentralizim të pushtetit lokal nëpër ato hapësira në të cilat jeton popullata e cila e konsideron vetveten si pjesë politikisht dhe juridikisht lojale ndaj Republikës së Kosovës, mund të pretendohet se decentralizimi ka ndihmuar integrimin e pakicave. P.sh. Komuna e Mamushës e banuar nga pakica turke. Kjo do të thotë se parakushti që pakica serbe të integrohet në Kosovë nuk është dhënia e kompetencave qeverisëse hapësirave të cilat i kontrollon Serbia me strukturat e saj shtetërore, por, përkundrazi, fillimisht shpërbërja e këtyre strukturave të paligjshme si dhe ndjekja penale e bartësve të këtyre strukturave”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Vetëvendosjes. /Telegrafi/