Serbia të kompensojë dëmet e luftës në Kosovë
Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropiane (OBRIE) në Maqedoni e vlerëson si të dobishëm dhe të frytshëm për stabilitetin e rajonal dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
OBRIE vlerëson se në këtë dialog duhet të përfshihen të gjitha subjektet politike në Kosovë, ndërsa paraprakisht autoritetet serbe duhet të kërkojnë falje për krimet e bëra para dhe gjatë luftës së fundit në Kosovë, transmeton agjencia e lajmeve ina.
Sipas kësaj organizate, Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë nga Serbia kompensimin e dëmeve direkte dhe indirekte të luftës së udhëhequr nga kasapi i Ballkani, Sllobodan Milosheviq.
Kjo organizatë kërkon që të formohen grupe punuese profesionale me përfaqësues edhe ndërkombëtar për hetimin e krimeve serbe në Kosovë, me qëllim që të dalin para drejtësisë të gjitha ata që kanë marrë pjesë në vrasjen e 15 mijë shqiptarëve, dhunimin e rreth 20 mijë grave, zhdukjen e mbi 2000 personave, dëbimin e mbi 800 mijë qytetarëve, pastaj dhe dëmet materiale që arrijnë vlerën e miliarda dollarëve.