Qeveria ‘legalizon’ barnat serbe edhe pa përkthim
Kryetari i Organizatës joqeveritare, “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, thotë për portalin standardi.info se produktet që hynë në Kosovë duhet të kenë të shënuar udhëzimin dhe mënyrën e përdorimit në pakon e vet në gjuhën zyrtare shqipe.
Barërat e importuara nga Serbia, jo vetëm se futët pa ‘karar’ në Kosovë, por ato i servohen qytetarëve vetëm në gjuhën serbe. Edhe pse gjuhë e parë zyrtare në Republikën e Kosovës është gjuha shqipe, kjo nuk përfillet as nga institucionet shtetërore të shtetit tonë, të cilat legalizojnë barërat e prodhimit të Serbisë, pa përkthime rreth mënyrës së përdorimit dhe efekteve reaguese.
Kjo dukuri negative, jo vetëm se është shqetësuese për qytetarët shqiptarë, por në këtë kontekst shpërfillet edhe e drejta qytetare, ngase konsumatorët nuk mund të informohet qartë e saktë për efektet ose mënyrat përdoruese të barërave për të cilat kanë nevojë. Siç shihet edhe në foton e tekstit, barërat e licencuara dhe me banderolë shiten në treg, pa asnjë informacion të saktë për blerësit, fjala është për gjuhën qe ata kuptojnë.
Qytetari i cili ka blerë në një barnatore në Prishtinë, tabelat ‘Espumisan’, thotë se nuk ka ‘haber’ për mënyrën e përdorimit të këtij bari, ngase nuk e njeh gjuhën në të cilën është shkruar. “Më ka ndodhur shpesh të më bien në dorë barëra të tilla pa përkthim dhe udhëzim në gjuhën shqipe, por ato ishin pa banderolë, por kjo e fundit më shqetëson tej mase, sepse ky bar është legalizuar dhe licencuar nga vet Ministria e Shëndetësisë”, thotë Eqrem Qerkini nga lagjja Pejton e Prishtinës.
Kryetari i Organizatës joqeveritare, “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, thotë për portalin standardi.info se produktet që hynë në Kosovë duhet të kenë të shënuar udhëzimin dhe mënyrën e përdorimit në pakon e vet.
“Të gjitha produktet që hyjnë në treg qoftë ato ushqimore apo farmaceutike përshkrimin duhet ta kenë në gjuhen amtare. Në këtë rast do të duhej të përfshiheshin edhe gjuhet e minoriteteve”, shtoi ai duke theksuar se ‘deri te kjo vështirësi kemi arritur për shkak të mos funksionimit të ligjit, ose mos më keq të shkeljes së tij’.
Një farmacist i kryeqytetit thekson se Agjencioni i Kosovës për Produkte Medicinale, AKPM – i cili bën licencimin e ilaçeve ka ndodhur qe shumë shpesh të bëjë legalizimin selektiv të barërave duke shpërfillur shumë kritere bazë, ndër të cilat edhe përshkrimin në gjuhën shiqipe. / Antoneta Marleku, (standardi.info)