LDK tërhiqet nga Komisioni për Reformën Zgjedhore
Lidhja Demokratike e Kosovës është tërhequr të mërkurën përfundimisht nga Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore, duke kërkuar që të respektohet marrëveshja për presidenten.
Këtë vendim e ka bërë publik, kryetari i këtij komisioni që është nga LDK-ja, deputeti Haki Demolli.
“Që nga sot LDK-ja nuk do të jetë pjesë e komisionit derisa nuk respektohet marrëveshja për presidentin e arritur në rezolutën të cilën e kemi përkrahur edhe ne”, ka thënë deputeti Demolli.
Siç njofton “Koha”, ai ka thënë se LDK-ja do t’i kthehet punës së komisionit në momentin kur të ndryshohen rrethanat dhe kur PDK-ja do ta respektojë marrëveshjen për presidentin.
Ky vendim, sipas anëtarit tjetër të LDK-së, Imri Ahmeti është imponuar direkt nga kryeministri Hashim Thaçi.
“Qëndrimi jonë për t’u larguar nga komisioni na është imponuar direkt nga kryeministri Hashim Thaçi dhe nga askush tjetër”, është shprehur Ahmeti.
Nga ana tjetër nënkryetari i komisionit nga PDK-ja, Halit Krasniqi i ka ftuar kolegët e tij nga LDK-ja që të vazhdojnë punën dhe të mos largohen nga komisioni, pasi që sipas tij ky është lajm i keq në kohën kur Kosova është në fazën e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur’
“Është lajm i keq për komisionin, opinionin dhe institucionin. Ju ftoj që ta korrigjoni veprimin dhe komisioni ti kthehet punës normale”, ka ftuar Krasniqi.
Kurse përfaqësuesi i AAK-së, Blerim Shala e ka cilësuar këtë si një situatë të komplikuar për të cilën ka thënë se ai nuk di se cila është rrugëzgjidhja për momentin.
”Është situatë e komplikuar dhe goxha e rëndë dhe ne më së paku kemi kontribuar që të jemi në këtë situatë. Pra jemi në pikën zero dhe unë nuk e di rrugëdaljen nga kjo situatë, ose ajo mund të gjendet me një takim të përbashkët të liderëve të partive dhe të dyja komisioneve, atij për ndryshime kushtetuese dhe këtij për reformë zgjedhore”, është shprehur Shala.
Por për Lëvizjen Vetëvendosje ky veprim i LDK-së është tregues se PDK-ja e LDK-ja e kanë shndërruar reformën zgjedhore dhe kushtetuese në pronë private.
“Reforma zgjedhore dhe ajo kushtetuese janë duke u trajtuar nga PDK-ja e LDK si pronë e tyre dhe nuk na befason aspak ky qëndrim i LDK-së sepse sikur që është nisur në mënyrë antikushtetuese marrëveshja për presidentin ashtu edhe po vjen fundi”, ka vlerësuar Haxhiu. Ajo ka propozuar që të vazhdoj puna e komisionit në çështjet që kanë të bëjnë me administrimin e zgjedhjeve. /Telegrafi/