Kalo te lënda

Digjen dy mijë hektarë male

Pyjet e Kosovë po shkrumbohen. Dëmet e shkaktuara do të kërkojnë dekada që të riparohen. Të dhënat zyrtare tregojnë se deri më 22 gusht, kur është bërë përllogaritja e fundit, janë bërë hi mbi 2 mijë hektarë male. Në rastet e shumta, sipërfaqet e djegura ishin shumë të bukura, pyje mjaft kualitative, shkruan Express.

Ndërkohë, vlera financiare e dëmeve saktësisht ende nuk është përllogaritur. Kjo për faktin se zjarret ende vazhdojnë të djegin pyjet e vendit. Megjithëkëtë, jozyrtarisht besohet se vlera e dëmit kalon 15 milionë euro. Vatrat më të mëdha të zjarrit vazhdojnë të jenë malet në bjeshkët e komunës së Decanit dhe në atë të Dragashit.

Rasim Selmanaj, kryetar i Komunës së Deçanit, thotë se vatrat e zjarrit kanë prekur pjesët shkëmbore. “Kurse Qeveria nuk ka pasur mundësi të intervenojë nga ajri”, thotë ai. Sipas tij, Forca e Sigurisë së Kosovës i ka ofruar ndihmë, por jo edhe KFOR-i.

“Pavarësisht situatës së rëndë, kemi arritur t’i menaxhojmë mirë këto zjarre”, thotë Selmanaj për “Express”.

Por, jo të gjithë mendojnë kështu. Iniciativa për Progres shpreh shqetësimin e saj lidhur me situatën e krijuar nga zjarret që kanë përfshirë zona të ndryshme të Kosovës. “Kryetari i Komunës së Deçanit në momentin e parë që ka vlerësuar se kapacitetet lokale nuk mjaftojnë për fikjen e zjarreve, është dashur të shpallë gjendje emergjente dhe të kërkojë asistencë qendrore, pasi që mbi të bie përgjegjësia për sigurinë publike dhe mirëqenien e qytetarëve të komunës“, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

Dëmet këtë vit nga zjarret duken edhe më të mëdha, përveç në aspektin financiar e ekologjik, edhe në atë kohor.

Admir Hasanaj është drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Deçanit. Ai tregon se këtë vit ka pasur shumë vatra zjarresh si në Bjeshkët e Baballoqit, Carrallugut, Vokshit, Strellcit, Qelisë apo Bellojës.

“Po ashtu edhe kemi vatra afër Manastirit të Deçanit, ku janë djegur një sasi e madhe e pishave. Këto pisha kanë qenë shumë të vjetra dhe është dashur me qindra vjet të rriten“, thotë Hasanaj.

Lini një koment