Azem Syla jep dorëheqje
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, Azem Syla, ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Komisionit për vlerësimin e luftëtareve të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës. Deputeti Syla këtë vendim e ka bërë publik përmes një letre dërguar Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.
“Duke vlerësuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës e ka kryer misionin e saj të çlirimit të Kosovës, së bashku me mbështetjen ndërkombëtare, duke vlerësuar se funksioni im ka pushuar së funksionuar, prej krijimit të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, duke ditur se prej vitit 2000 unë nuk jam marrë me strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke pasur në vëmendje se unë nuk duhet të ngarkohem me përgjegjësinë e evidentimit të veprimtarisë e të luftës së çdo luftëtari të UÇK-së, duke qenë se nuk ndihem person adekuat për ta ndjekur dinamikën e detyrës që më kërkoni ta kryej, duke qenë se kam ngarkesa që nuk më lejojnë që kësaj veprimtarie t’i kushtojë kohën dhe vëmendjen e duhur, duke i vlerësuar mundësitë e mia dhe përmasat e detyrës së ngarkuar, si dhe duke vlerësuar se kjo detyre nuk më takon ta kryej unë, për vetë funksionin që kam pasur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, jap dorëheqjen prej detyrës së Kryetarit të Komisionit për vlerësimin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shkruan Syla në letrën e tij dërguar kryeministrit, Hashim Thaçi.