Kalo te lënda

Shtrenjtë zeher

Po i ofrohet rekordit të vitit 2008. Çmimi i karburanteve, ndonëse në bursat ndërkombëtare është larg pragut 147 dollarë për barel sa ishte rekordi botëror në atë kohë, në Kosovë i është ofruar shumë.

Një litër benzinë në disa pika të shitjes së karburanteve në territorin e Kosovës ka shkuar në 1.42 euro. E hiç më lirë nuk është as nafta në disa pika të shitjes, në të cilat çmimi shkon deri në 1.41 euro për litër.

Qytetarët po ankohen se naftëtarët po i rrisin çmimet pa ndonjë arsye, duke u thirrur në lëvizjet e bursave ndërkombëtare.

Madje, për shkak të shtrenjtimit të madh, thonë se nuk po kanë llogari të vozisin vetura. “Nuk po ma qet me ec me kerr tybe. U shtrenjtu benzina tepër”, thotë Islami nga Prishtina.

E derisa ai po e braktis vozitjen duke u munduar të kursejë, ka qytetarë që ia mësynë veriut të Mitrovicës për t’i mbushur rezervuarët me naftë ose benzinë me çmime shumë më të lira, shkruan gazeta express.

Në pompat që gjinden në këtë pjesë nafta shitet me 0.85 euro, gati përgjysmë më lirë se në jug.

“Ma hesap po kem me mbush një herë në javë kerrin me naftë në veri se me ble këtu. Atje nuk po është shumë e mirë, por ma lirë po më del”, tregon një qytetar në kushte anonimiteti.

Lini një koment