Kalo te lënda

Rexhepi: KFOR-i nuk po na ndihmon

Që nga korriku i vitit të kaluar kur Qeveria e Kosovës pati ndërmarrë aksionin për futjen nën kontroll të vendkalimeve kufitare 1 dhe 31 në veri, zyrtarët e institucioneve kanë deklaruar se kontrabanda dhe krimi i organizuar është në rënie.

Mirëpo, drejtuesit e forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, së fundi kanë deklaruar se situata aktuale në atë pjesë është më e mirë se një vit me parë, por sfidat janë ende të mëdha.

Komandanti i forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, gjenerali Erhard Drews, ka theksuar se “rezistenca në veri nxitet nga disa përfaqësues politikë radikalë, që duan të mbajnë situatën aktuale në atë zonë si dhe grupe kriminale që duan të ruajnë bizneset e tyre të mbështetura në kontrabandë dhe trafiqe”.

Këto komentet ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi i ka konsideruar si reale, për të shtuar se këto deklarata të komandantit Drews janë të vonuara.

“Ato që ne i kemi thënë më parë nuk i kanë përmendur ose kanë qenë të rezervuar, ndërsa tash në fund të mandatit ai i ka thënë gjërat ashtu siç janë”, tha Rexhepi, raportin rel.

Strukturat paralele, në veri të Kosovës, edhe 13 vjet pas luftës vazhdojnë të funksionojnë me mbështetjen e Beogradit.

Institucionet e Kosovës jo vetëm që deri më tash nuk kanë shtrirë autoritetin atje, po shpesh janë ankuar se nuk kanë gjetur mbështetjen e faktorit ndërkombëtar për shuarjen e këtyre strukturave.

Ministri Rexhepi thotë se për shuarjen e strukturave paralele në veri, KFOR-i asnjëherë nuk ka shprehur gatishmëri për të ndihmuar në ketë drejtim.

“KFOR-i formalisht nuk ka mandat për të vepruar në këtë drejtim dhe duhet ta pyesin NATO-n. Ky është më tepër mandat i EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, por, ata asnjëherë nuk kanë shprehur gatishmëri t’i mbështesin aq shumë t’i arrestojnë dhe t’i shpërbëjnë ato”, tha Rexhepi.

Lini një koment