Kryeziu: Durojmë gjithçka
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu ka besuar për një pajtim të ri rreth çështjes së Presidentes, por tash thotë se është shumë vonë.
Zbatimi i marrëveshjes Thaçi-Mustafa-Pacolli s’ka alternativë. Gjykata Kushtetuese vendimin për mandatin e Shefes së Shtetit e mori si të ishte në gjumë. Kosova është vend i paradokseve dhe e duron edhe një koalicion PDK-AAK, është shprehur Kryeziu në një intervistë për “Express” .
“Të sqaroj se qëndrimet e mia nuk janë drejtpërdrejt të LDK-së, por uroj që të jenë në hullinë e politikës së LDK-së. Ndoshta qëndrimet e mia nuk përkojnë krejt me të LDK-së, për këtë gjë kërkoj falje prej zyrtarëve të lartë të LDK-së. Pra, lidershipi i ri është diçka premtues. Në fakt është e vetmja parti që e ka mundësinë dhe traditën të bëjë gjëra të tilla, të ndërrojë lidershipin dhe të vazhdojë më tutje. Nuk ka parti tjetër në Kosovë që merr hapa të tillë. Paramendoni ato parti tjera me ua ndërru liderin, aty s’mbetet kurxha, ama bash kurxha”, është shprehur ndër të tjera Kryeziu. /Telegrafi/