Kalo te lënda

Komuna s`ngutet t`i sanojë rrugët e prishura

Rrugë të prera në disa pjesë të Prishtinës kanë mbetur të pariparuara, ndërkohë që komuna nuk e ka shqiptuar asnjë gjobë, por ka akuzuar kompanitë publike për dëmtimin e rrugëve.

Adil Krasniqi, banor në rrugën “Lekë Dukagjini”, ka thënë që rruga është tërësisht e dëmtuar, por nuk është bërë asgjë për riparim.

 

”Ata pretekstin e vetëm e kanë se po merren me qendrën, mirëpo nuk është se po e bëjnë namin në qendër dhe ne nuk jemi në periferi, edhe ne jemi pjesë e qendër, këndej ka mjaft qarkullim, kështu që nuk është në rregull me kalu kaq shumë kohë edhe të paktën një shtresë të re të asfaltit mos me ja dhënë”, ka thënë ai. Në këtë kontekst, ai i ka ftuar autoritetet komunale të reagojnë para se të nisë sezoni vjeshtor.

 

”Dimri që kaloi ka qenë jashtëzakonisht i vështirë për ne dhe kemi menduar që ky tjetri të mos jetë i njëjtë, por sipas të gjitha gjasave edhe ky dimër do të jetë i njëjtë për ne”, ka shtuar ai, duke bërë me dorë nga gropat të cilat po e bëjnë rrugën edhe më të pakalueshme.

 

”Këto prerje të rrugës janë bërë nga vetë qytetarët të cilët kanë fut gypa dhe i kanë ujdis ata ashtu qysh i ka konvenu për në banesat e veta, mirëpo komuna është dashtë të reagojë, gjë të cilën nuk e ka bërë dhe tash në banorët jemi viktima të gjithë këtij kaosi”, ka thënë Krasniqi.

 

Ndërkohë edhe rrugë të tjera të qytetit mbeten në të njëjtën gjendje.

 

”Dhjetëra rrugë janë prerë disa herë dhe kanë mbet ashtu, ata kur nuk munden me i përmbushë premtimet e veta, nuk e di pse flasin, rruga është tejet e dëmtuar dhe kjo qe një kohë të gjatë”, ka thënë Nehat Ademi, banor në rrugën “Shaban Polluzha”.

 

“Nuk është se nuk jemi në qendër dhe përpara rruga ka qenë e shtruar me pllakëza betoni, mirëpo prej se po bëhen ndërtime vend e pa vend të këtyre objekteve të mëdha të banesave, rruga është ngushtuar dhe është bërë shumë e vështirë të kalohet këndej”, ka thënë ai.

 

”Rruga u dëmtu para dimrit nga qarkullimi i madh i mjeteve të rënda dhe vetë fakti që rruga është e ngarkuar do të thotë që ajo duhet të rregullohet e jo të na shkaktojë më tepër vështirësi”, ka shtuar ai.

 

Ndërkohë, karshi këtij problemi, zyrtarë komunalë kanë deklaruar se është duke u punuar vazhdimisht për rrugët e kryeqytetit. E Asdren Osaj, zëdhënës në Komunën e Prishtinës, ka bërë të ditur se aktualisht po punohet në rrugën “Enver Maloku”.

 

”Po punohet nga semaforët te Mensa e Studentëve, e cila çon në lagjen ‘Kodra e Diellit”, ku kësaj rruge është duke iu dhënë një shtresë komplet e asfaltit, sepse ka qenë e dëmtuar më shumë se njëzet për qind”, ka thënë ai.

 

Sipas tij, Komuna ka paraparë që të mbulohen të gjitha gropat, mirëpo ka fajësuar ndërmarrjet publike, të cilat po bëjnë që punët në disa rrugë të zvarriten.

 

”Të gjitha rrugët në qytet që janë paraparë të mbulohen nga gropat, pothuajse janë përfunduar, përveç disa rasteve, ku hyjnë edhe rrugët për të cilat qytetarët ankohen, në të cilat nuk është ndërhyrë për shkak të punimeve që po bëjnë ujësjellësi dhe ndërhyrjeve të KEK-ut, që bëjnë të mos intervenohet në mbylljen e tyre”, ka thënë Osaj.

 

”Aty ku këto dy ndërmarrje publike intervenojnë në hapjen apo dëmtimin e rrugëve, ato pas përfundimit të punimeve i rikthejnë në gjendje të mëparshme”, ka shtuar ai.

 

Ndërkohë, Habib Qorri, drejtor i Sektorit të Transportit në Komunën e Prishtinës, ka thënë se rrugët që dëmtohen nga kompani private duhet të kthehen në gjendjen e mëparshme, e nëse kjo nuk ndodh atëherë merren masa dhe hapen procedura ligjore ndaj tyre./standardi.info

Lini një koment