Haziri: Asnjë proces nuk mund të mbyllet i suksesshëm pa LDK-në
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se partia e tij nuk bën të anashkalohet në asnjë proces, sepse, sipas tij, asnjë proces nuk mund të jetë i suksesshëm pa LDK-në.
“Pa LDK-në asnjë proces nuk mund të mbyllet i suksesshëm. Çdo proces që pretendohet të përmbyllet pa LDK-në do të jetë i lëndueshëm, i diskutueshëm dhe mund të jetë i dështuar”, ka thënë Haziri për Epokën e Re, ndërsa transmeton Indeksonline.
Ai ia ka rikujtuar Partisë Demokratike të Kosovës se kur ka qenë në opozitë, LDK-ja ka vlerësuar se në procesin e pavarësisë së vendit, duhej të ftohej edhe PDK-ja për shkak të rolit të saj në atë kohë.
Ndërkaq, sa u përket bisedimeve me Serbinë, Haziri ka thënë se dialogu duhet të përgatitet mirë dhe të jetë i qartë.
“Thirrja jonë në kuptimin e dialogut është kjo: dialogu gjithmonë duhet të jetë i përgatitur mirë, i qartë dhe transparent, duke vendosur në plan të parë Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka shtuar nënkryetari i LDK-së. /Telegrafi/