Decentralizimi, element thelbësor i demokracisë!
Katër vite kanë kaluar që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Pjesë e pandashme e projektit të shtetndërtimit dhe vizionit tonë të Kosovës shumetnike, në integrimin e komuniteteve që nga ajo kohë ka qene dhe është Plani i Ahtisarit, e me këtë edhe procesi i decentralizimit, i cili ka arritur qëllimin e tij. Pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje që është element thelbësor i demokracisë.
Kështu ka deklaruar kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në takimin përmbyllës të Grupit Ndërministror për Decentralizim. Ai ka thënë se që nga krijimi i shtetit të Kosovës, parimet udhëzuese të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në promovimin dhe avancimin e të drejtave të komuniteteve janë bazuar në dy shtylla: së pari, të drejtën për jo-diskriminim në gëzimin e të gjitha të drejtave dhe lirive të njeriut; dhe së dyti, të drejtën për ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit përmes lirisë për të praktikuar dhe shfrytëzuar ato aspekte të veçanta dhe të patjetërsueshme të jetës së tyre si komunitete, me theks të veçantë kulturën, fenë dhe gjuhën.
“Mbi këto baza Qeveria e Kosovës ka bërë arritje të dukshme në garantimin ligjor të drejtave të komuniteteve, për çka mund të them pa hezitim se jemi model për vendet e rajonit dhe më gjerë. Këto të drejta janë të garantuara me dokumentin më të lartë juridik, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.
“Qeveria e Kosovës, si krijuese e politikave dhe institucionet tjera në procesin e decentralizimit kanë ndërmarr hapa të rëndësishëm për përmirësimin e mëtejshëm të legjislacionit dhe strategjive me qëllim të gjetjes se modaliteteve më të mira për përmirësimin e procesit… Bazuar në shembujt e suksesit lidhur me decentralizmin dhe krijimin e komunave te reja në Kosovë, lirisht mund të themi që kemi shënuar progres substancial në përmirësimin e klimës ndër etnike dhe integrimin e minoriteteve. Kemi arritur që qytetarëve t’u mundësojmë të vendosin vetë për gjërat që ndërlidhen me vetë-qeverisjen lokale”.
“Ne kemi parasysh të arriturat e vazhdueshme në këtë proces, por gjithashtu kemi parasysh sfidat dhe vështirësitë në drejtim të avancimit të demokracisë dhe qeverisjes së mirë në vend. Sepse, garantimi ligjor mund të jetë sfidues nëse për zbatimin e tij nuk punojnë si udhëheqësit dhe vetë punëtoret e institucioneve në njërën anë, dhe vetë pjesëtarët e komuniteteve në anën tjetër”, ka thënë ndër të tjera kryeministri Thaçi. /Telegrafi/