Kalo te lënda

SMS-të, manifestim i pakënaqësisë qytetare

Ditë më herët aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje patën ndërmarrë një aksion, ku kanë bërë shpërndarjen e fletushkave, në të cilat bëhej thirrje për arrestimin e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, të ministrit për Zhvillim Ekonomik, Besim Beqaj, atij të Financave, Bedri Hamza, si dhe të asaj për Tregti dhe Industri, Mimoza Kusari-Lila. Kurse dje, kjo lëvizje ka ndërmarrë një aksion tjetër, duke u dërguar sms në telefonat e katër zyrtarëve të lartëpërmendur, që t’u tregojnë atyre se qytetarët janë të pakënaqur me procesin e privatizimit në vend.

Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje e ka konfirmuar sot se ata i kanë ndërmarrë aksionet në fjalë. Ai ka thënë se dërgimi i sms-ve ka qenë që qytetarët të kenë mundësinë dhe t’u tregojnë atyre për pakënaqësitë e tyre ndaj procesit të privatizimit.

“Lëvizja Vetëvendosje i ka ndërmarrë këto dy aksione përmes të cilave i kemi dërguar sms, e-maile dhe kemi shfrytëzuar të gjitha mjetet e komunikimit për t’u dërguar Kryeministrit dhe tre ministrave në Qeverinë e Republikës së Kosovës, një mesazh unik, të cilin e kanë shfrytëzuar qytetarët për t’u treguar pakënaqësinë e tyre me atë që ata po e bëjnë me privatizimin. Pra, në njëfarë mënyrë ideja ka qenë në qytetarët t’i dërgojnë këto mesazhe te këta katër persona të Qeverisë, në mënyrë që të shprehin pakënaqësinë e tyre dhe t’u tregojnë se nuk janë duke u pajtuar me këtë proces të privatizimit të ndërmarrjeve publike”, ka thënë ai.

Ymeri e ka arsyetuar këtë duke thënë se Kryeministri Thaçi është kryesor në Qeveri, kurse tre ministrat e tjerë janë përgjegjësit kryesor për çështjet ekonomike në vend.

“Arsyeja se pse janë zgjedhur këta katër persona është shumë e qartë. Është kryeministri që është kryesor në Qeveri dhe janë tre persona të cilët merren me çështjet ekonomike në Qeverinë e Republike të Kosovës. Pra, është zëvendëskryeministrja për çështje ekonomike, Mimoza Kusari-Lila, është ministri i Financave Bedri Hamza dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj i cili është përgjegjësi kryesor për kompanitë publike, veçanërisht për privatizimin e tyre”, ka thënë ai, raporton express.

Ai ka shtuar se nuk ka qenë qëllimi i këtyre aksioneve për vetëdijesimin katër personave se çfarë po bëjnë, sepse, sipas tij, janë të vetëdijshëm se sa keq po i bëjnë Kosovës, por qëllimi ka qenë që t’u tregojnë atyre se qytetarët nuk janë duke u pajtuar me këtë proces të privatizimit dhe se çka presin ata nga qytetarët poqë se vazhdojnë me kokëfortësi, duke i ndjekur këto politika tashmë të gabuara për Kosovën./Indeksonline/

Lini një koment