S’ka falje për zvarritësit e vizave
Për qeverinë që udhëhiqet nga Hashim Thaçi, ka kritika negative me bollëk, pak më shumë në Kosovë. Kritikat që kjo qeveri ka marrë në botë kanë qenë të rralla, por kur janë bërë kanë përfshirë akuza deri te trafikimi i organeve. Sidoqoftë, faktike është se gjatë mandatit të qeverisë aktuale mundësitë e Kosovës në raport me Bashkimin Evropian kanë qenë më të mëdha që i janë ofruar shtetit më të ri të Evropës, në periudhën e pasluftës, shkruan Zëri.
Kritikët thonë se kompromiset e dhimbshme me Serbinë janë një prej arsyeve kryesore, ndërsa ata që flasin për pjesën meritore padyshim se kontributin nuk ia pranojnë Thaçit, por ministres për Integrime, Vlora Çitaku. Ndonëse thuhet se suksesin në Kosovë rrallë ta falin, aq më tepër kur bëhet fjalë për një femër, Çitaku megjithatë, mund të mburret se është ndër shumë të rrallët që janë vlerësuar pozitivisht në Raportin e Progresit që hartohet nga Komisioni Evropian.
Ajo gjithashtu ka qenë ndër të rrallët që ka tejkaluar inatet partiake dhe ka bashkëpunuar ngushtë me kryetarët e komunave të të gjitha partive duke arritur të shënojë përparim të dukshëm në një nga kriteret më të rëndësishme për liberalizim vizash, procesin e ri-integrimit në shoqëri të të kthyerve nga jashtë.