Qeverisë nuk i intereson katastrofa nga zjarret
Lidhja Demokratike e Kosovës vlerësoi të hënën se Qeveria Thaçi është e paaftë dhe e pa interesuar për të ndaluar katastrofën e shkaktuar nga zjarret.
Kjo parti thekson se javët e fundit, zjarret kanë shkatërruar qindra hektarë pyje në vise të ndryshme të vendit, ndërsa vazhdimi i kësaj katastrofe tregon paaftësinë e Qeverisë së Kosovës për tu përballur me këtë gjendje të rendë dhe neglizhencën institucionale për të mbrojtur pasurinë kombëtare të Kosovës.
“Deri tani, Kryeministri dhe Qeveria e Kosovës nuk ka qenë në gjendje që të thërrasin Këshillin për Siguri të Kosovës në mënyrë që të koordinojnë aktivitetet e parandalimit, shuarjes dhe shpëtimit nga zjarri të zonave malore. Agjencioni për Menaxhimin e Emergjencave në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme deri tani shihet që nuk posedon kapacitetet elementare të bëjë koordinimin dhe punën e saj për të ndalur këtë katastrofë”, thuhet në kumtesë.
Sipas LDK-së, shumë zjarrfikës po mundohen me të gjitha mjetet të kryejnë punën e tyre, por ata janë lënë në mëshirën e fatit në terrene të rrezikshme për jetën e tyre.
“LDK është e vetëdijshme për kapacitetet modeste teknike të institucioneve profesionale pasi që mungojnë edhe pajisjet më elementare të duhura si: bombolat për shuarjen e zjarrit, hidrantët, kamionët apo edhe helikopterët. Sidoqoftë, mosinteresimi total i ministrave të linjës dhe qeverisë në përgjithësi flet për një realitet të hidhur ku nuk ekziston as edhe një deklaratë e vetme që tregon shqetësimin e këtyre zyrtarëve të shtetit apo edhe një thirrje për ndihmë nga KFOR-i apo shtetet fqinje’, thuhet më tej në kumtesë.