Kalo te lënda

Problemet e brendshme të Malit, kanë krijuar situata të paqarta rreth njohjes

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka shfrytëzuar profilin e tij në Facebook për të shpjeguar se problemet e brendshme që ka Republika e Malit, kanë krijuar situata të paqarta pas arritjes së notës verbale të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

“Para disa ditësh, arriti nota verbale e njohjes nga Republika e Malit, e nënshkruar dhe e vulosur nga Presidenca e këtij shteti. Mali, siç e dini ka një qeveri kalimtare, dhe një president kalimtar, ndërkaq autoritet në këtë shtet është edhe ushtria që praktikisht kontrollon pushtetin brenda vendit dhe nuk ka kooperim në lidhje me Kosovën. Unë personalisht Malin e kam vizituar pesë herë prej ku kam marrë premtimin për njohjen e Kosovës. Problemet e brendshme që ka kjo Republikë kanë krijuar situata të paqarta pas arritjes së notës verbale të njohjes. Në këto momente unë gjendem në rajonin e Afrikës, nga ku kam kuptuar se situata ka ndryshuar pas intervenimit të ushtrisë së Malit në proces. Ne kemi pranuar notën verbale të njohjes dhe si të tillë e kemi publikuar, ndërsa çështjet e brendshme të këtij shteti apo të shteteve të tjera nuk na interesojnë”.

“Si rrjedhojë, ne nuk jemi përgjegjës as nëse këto shtete ndryshojnë qëndrimet e tyre, si rezultat i problemeve të brendshme. Në Afrike procesi i lobimit po vazhdon, ndërkaq rezultatet e afirmimit të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare do të vazhdojnë të vijnë”, ka shkruar Pacolli. /Telegrafi/

Lini një koment