Kalo te lënda

Përçahen për shami

Partia e Drejtësisë po përballet me ikje të disa prej drejtuesve të saj në qytetet kryesore. Pas Prizrenit, probleme janë shfaqur edhe në Degën e Pejës. Të pakënaqurit thonë se Ferid Agani po ndihet komod në karrigen e Ministrit të Shëndetësisë dhe nuk po e shtyn përpara premtimin e tij elektoral për futjen e shamisë në shkollat publike.

Partinë e Drejtësisë dhe kryetarin saj Ferid Agani sikur vazhdimisht po i ndjek hija e shamisë.

Moslejimi i përdorimit të saj nga nxënëset në shkollat publike, për shkak të një Udhëzimi Administrativ, duket se e ka futur në telashe këtë parti, shkruan express.

Partia e vogël politike me orientim paksa islam është pjesë e Koalicionit për Kosovë të Re, e bashkë me të edhe pjesë e koalicionit qeveritar.

Por, mospërmbushja e këtij premtimi parazgjedhor nga ana e drejtuesve të saj për ndryshimin e këtij udhëzimi tash është bërë një nga arsyet kryesore që zyrtarë në degët e saj nuk janë të kënaqur me udhëheqësit e tyre në Prishtinë.

Të dielën dha dorëheqje edhe anëtari i kryesisë së degës së PD’së në Pejë, Kujtim Bala.

Në letrën e tij shpërndarë medieve, Bala ndër të tjera thotë se serviliteti i krerëve të partisë, neglizhenca që u bëhet anëtarëve të degëve, ndalimi i shprehjes së mendimeve dhe shfrytëzimi i pushtetit në mënyra jo të ndershme dhe larg nga ajo që morën votat e elektoratit janë disa nga arsyet që e çuan të japë dorëheqje.

Por, me konstatime të tilla nuk pajtohen drejtuesit e PD’së në Prishtinë.

Një prej tyre, Jeton Svirca, nënkryetar i PD’së, është i bindur se kryetari i partisë, Ferid Agani “ka dalë edhe jashtë lëkurës së vet” duke punuar për programin e partisë.

Lini një koment