Kalo te lënda

Besat shqiptare në një film hebre(video)

Sa njerëz do të jepnin jetën e tyre për një të huaj? Pyetja universale, përgjigjia shumë e thjeshtë; Shqiptaret do ta bënin! Ky është boshti i një dokumentari i “Besa- The Promise”, Besa si Kod, por dhe si virtyt, ne formen e një zemre të mirë shqiptare që sakrifikohet për tjetrin.

CNN ndalet tek ky film që bëri jehonë në festivalin e filmit hebre në “San Francisko” që nisi më 19 korrik dhe përfundoi më 6 Gusht.

“Besa” u shndërrua në misionin e fotografit hebreo-amerikan Norman Gershman. Fotot e mbledhura në Shqipëri, ai i përdori në librin ku mbështet filmi; “Besa, Muslimanët që shpëtuan Hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore”.

Filmi nisi në 2007 dhe është rrugëtimi i dy burrave, Gershmanit dhe Rexhep Hoxhës, një muslimani shqiptar. Rexhepi, me ndihmën e Normanit çon deri në fund besën që i dha i ati familjes hebreje, të cilën e shpëtoi gjatë Holokaustit; t’i kthejë asaj librat e shenjtë të lutjeve të lëna në shtëpinë e tyre. Nga Bullgaria mbërrijnë në Izrael. Megjithëse i besimit musliman, Rexhep Hoxha ndjehej pjesë e kësaj familje hebreje.

Gershman bisedoi edhe me Leka Zogun e Parë, për vendimin e mbreti të vetëm musliman në Europë, siç shkruan ai, për t’i hapur kufijtë hebrenjve në vitin 1938, kur kjo mund të ndizte zemëratën e nazistëve kundër Shqipërisë.

Leka Zogu i Pare ishte përgjigjur; sepse e ndjente që nuk ishte njerëzore ajo që bënë gjermanët dhe e ndjeu t’i hapte një rrugë. Sipas Yad Vashem, muzeut izraelit, apo siç njihet ndryshe arkiva më e madhe e Holokaustit në botë, nuk ka asnjë rast të vetëm të shqiptarëve, që i tradhëtuan familjet hebreje për t’ia dorëzuar nazistëve.

Johana Neuman e mbijetuar e Holokaustit, një prej personazheve të filmit, tregon për CNN se mbërriti në Shqipëri nga Gjermania, bashkë me familjen dhe asokohe ishte vetëm 8 vjeç.

“Unë dua të nënvizoj faktin se çdo shqiptar, apo çdokush që ndiqej nga gjermanët nëse fshihte një hebre, jeta e tij dhe ajo e familjes së tij ishte në rrezik. Ata e bënë dhe ishte e pabesueshme. Nuk mund të theksohet mjaftueshëm se çfarë bënë shqiptarët. Besa ishte pa dyshim pjesë e kulturës që vjen nga Kanuni, udhërrëfyesi i tyre moral”, thotë Johanna Neumann.

Misioni i tanishëm i fotografit, Norman Gershman është t’ua rrëfejë të rinjve amerikanë në shkollat e mesme konceptin e besës. “Besa është një mesazh për botën, thotë ai, për vëllazëri dhe dhembshuri për të gjithë ata njerëz në nevoje dhe që u përket vetëm shqiptarëve”.(tch)

http://www.dailymotion.com/video/xt3blh_besat-shqiptare-ne-nje-film-hebre-top-channel-albania-news-lajme_news#from=embediframe

Lini një koment