Kalo te lënda

509 milionë euro për 42 kilometra autostradë

Më shumë se 509 milionë euro deri më tash ka marrë kompania “Bechtel&Enka” për punën që po e bën në ndërtimin e autostradës Morinë – Merdar.

Pavarësisht krizës buxhetore në të cilën po kalon Kosova, pagesat ndaj kompanisë deri më tash asnjëherë nuk janë vonuar nga Qeveria e Kosovës, pasi sipas tyre, Qeveria nuk guxon ta shkelë qoftë një nen të vetëm të marrëveshjes të nënshkruar nga kryeministri Hashim Thaçi dhe ish-ministri i Transporteve, Fatmir Limaj, raporton gazeta Zëri.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar, kostoja e ndërtimit të autostradës do të kushtojë më shumë se 700 milionë euro. Lah Nitaj, këshilltar i ministrit të Infrastrukturës Fehmi Mujota, konfirmon se deri më tash Qeveria i ka dhënë kompanisë “Bechtel & Enka” hiq më pak se 509 milionë euro.
Sipas tij, kompania i merr paratë nga Qeveria për çdo punë që e kryen ajo. “Deri tani kompanisë ‘Bechtel&Enka’ e cila po e ndërton autostradën Morinë-Merdar i janë paguar 509.325.591.29 milion euro. Janë përfunduar 42 km, dhe janë lëshuar në qarkullim, përkatësisht segmentet 1, 2, 3 dhe 4, nga Vërmica deri në Bllacë. Segmenti i pestë deri në Gjurgjicë (kryqëzimi me rrugën nacionale N9 Prishtinë-Pejë) do të përfundojë deri në fund të nëntorit të këtij viti, kur do të lëshohet për qarkullim”, tha Nitaj për “Zëri”.
Sipas tij, segmentet tjera do të vazhdojnë të realizohen sipas projektit dhe kontratës së nënshkruar mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë ndërtuese njëkohësisht me përfundimin e seksionit të pestë. Ai tha se janë marrë vendimet përfundimtare për shpronësime në Qeveri dhe është bërë shpronësimi i pronave dhe kompensimi i pronarëve për pesë seksionet e para. Por, në anën tjetër burime të besueshme të gazetës thonë se Qeveria e tanishme e ka devijuar projektin bazë për ndërtimin autostradës nga Morina deri në Merdar.
Sipas këtij burimi, në bazë të kontratës së nënshkruar, autostrada fillon nga Merdari dhe del në magjistralin Prishtinë – Pejë në fshatin Gjurgjicë. Sipas projektit, prej këtij fshati e deri Parku Industrial në Drenas, shfrytëzohet rruga ekzistuese, ku më pastaj nga aty është dashur të behët rrugë e re.
Por, sipas këtij burimi, një gjë të tillë nuk po e bën Ministra e Infrastrukturës, e cila drejtohet nga Fehmi Mujota. “Prej Parkut Industrial të Drenasit, traseja e re është dashur të behët në mes të fshatit Sllatinë dhe Aeroportit, por tash një gjë e tillë s’po ndodh, magjistralja e Pejës po shfrytëzohet deri të rrethrrotullimi, i cili gjendet të rruga e re që të shpjerë për Aeroport në fshatin Sllatinë”, tha birimi i besueshëm i gazetës.
Për këtë çështje gazeta ka provuar ta kontaktojë përmes telefonit disa ditë rresht ministrin e Infrastrukturës Fehmi Mujota, por kontakti më të ka qenë i pamundur. Gazeta po ashtu i ka dërguar pyetje përmes sms ministrit, ku ai është përgjigjur se gjendet jashtë vendit, pa dhënë përgjigje në pyetjet e dërguara./standardi.info

Lini një koment