Hoxhaj: BE-ja, agjendë nacionale e Kosovës
Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka marrë pjesë në punimet e sivjetme të Forumit prestigjioz evropian të Albachut, i cili këtë vit ka trajtuar temën “E ardhmja e integrimeve evropiane”.Gjatë pjesëmarrjes në panelin e këtij forumi, Hoxhaj së bashku me eurodeputeten Doris Pack dhe politikanin austriak me renome Erhard Busek, ka mbajtur një ligjëratë rreth temës së integrimeve evropiane, ku ka prezantuar pikëpamjet e tij rreth perspektivave evropiane dhe proceseve që lidhen me rrugën e integrimit të Kosovës dhe rajonit.
Shefi i diplomacisë kosovare tha se Republika e Kosovës gjatë këtij viti po punon jashtëzakonisht shumë që ta bëjë BE-në synim dhe agjendë nacionale të sajën, njofton komunikata e MPJ-së.
“Ne jemi në proces të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë e cila do të ndryshojë natyrën e shtetit tonë dhe shoqërisë sonë. Po ashtu, ne po punojmë shumë që të konsolidojmë shtetësinë tonë të brendshme dhe për herë të parë pas shumë vjetësh kemi filluar procesin e liberalizimit të vizave dhe ne shpresojmë që në muajt që do të vijnë, në vitin e ardhshëm, qytetarët tanë do të kenë mundësi që të lëvizin pa viza në Evropë, veçanërisht studentët tanë”, theksoi Hoxhaj.
Duke iu referuar rinisë kosovare dhe vështirësive që hasin sidomos studentët kosovarë për të vizituar dhe studiuar në Evropë, Ministri i Jashtëm i Kosovës, apeloi te Brukseli që të ketë më shumë vëmendje për Kosovën, e veçanërisht për rininë e saj.
“Kosova është shteti më i ri, me popullatën më të re në Evropë. Ne po ndërtojmë një elitë politike nga themelet, po ndërtojmë institucione nga themelet, po e ndërtojmë ekonominë, sistemin arsimor, kulturën nga themelet dhe jemi në proces të transformimit të shoqërisë”, tha Hoxhaj, duke shtuar se shtetndërtimi në Kosovë është aspiratë e popullit të Kosovës dhe storie e suksesit e BE-së.
Gjatë punimeve të këtij forumi, ministri Hoxhaj ka zhvilluar takime dhe biseda të shkurtra edhe me shumë personalitete e liderë të shteteve evropiane dhe të mekanizmave të BE-së, si me presidentin e Austrisë, Heinz Fischer, presidentin e Kroacisë, Ivo Josipoviq, kryeministrin e Lichtensteinit, pastaj me eurodeptutetet Doris Pack e Ulricke Lunacek, si dhe shumë personalitete të tjera./Indeksonline/