Sulmohen ushtarët e KFOR-it në Jagenicë të Zubin Potokut
Jagenicë, Zubin Potok, 25 gusht – Të shtunën, në orët e hershme të mëngjesit, një grup serbësh kanë shtënë nga armët automatike në drejtim të ushtarëve të KFOR-it, që janë të stacionuar në fshatin Jagenicë të Zubin Potokut, kanë njoftuar burime jozyrtare. Sipas burimeve, grupi i serbëve të armatosur me armë AK 47 kanë shtënë mbi 200 herë në drejtim të ushtarëve të NATO-së. Në këtë sulm me armë zjarri në ushtarët e NATO-së nuk ka pasuar të lënduar, njoftojnë burimet. Ndërkaq, siç bëhet me dije, nga të shtënat aksidentalisht është qëlluar shtëpia e të të ashtuquajturit kryetar i Komunës së Zubin Potokut, Sllavisha Ristiq. Shtëpia e kryetarit të komunës paralele serbe, Ristiq, gjendet mu në afërsi të pikës së kontrollit të KFOR-it në fshatin Jagenicë. Në anën tjetër goditjen me plumba të shtëpisë së Slavisha Ristiqit në fshatin Jagenicë e ka konfirmuar edhe policia në Mitrovicë. Zëdhënësi i policisë rajonale të Mitrovicës, Besim Hoti, lidhur ka theksuar se ka pasuar një sulm të armatosur në fshatin Jagenicë, në afërsi të pikë kontrollit të KFOR-it. Me këtë rast është qëlluar me disa plumba shtëpia e Sllavisha Ristiqit. Policia ka dalur në vendin e ngjarjes dhe është duke i kryer hetimet. Për momentin nuk dihen arsyet e këtij sulmi dhe ndaj kujt ka qenë i drejtuar ky sulm me armë zjarri, ka thënë Hoti. Ndërsa burime nga fshati Jagenicë kanë bërë të dituar se sulmi ka qenë i drejtuar ndajë ushtarëve të KFOR-it me qëllim të frikësimit të tyre.
KFOR-i ditë më parë ka vendosur disa pika kontrolli në komunën e Zubin Potokut ndërsa që ka bllokuar tërësisht edhe lëvizjet në një rrugë ilegale që e kanë hapur grupet kriminale serbe gjatë vitit të shkuar me qëllim të kontrabandimit të mallrave nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas.