Berisha: Edhe 500 km rrugë të reja në Tiranë
Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se në Qarkun e Tiranës janë ndërtuar 950 km rrugë, ndërsa bëri të ditur se së shpejti hapen edhe 500 km të tjera rrugë.
Deklarata u bë gjatë përurimit që kreu i qeverisë u bëri sot akseve Uzina e Autotraktorëve- Lanabregas, Ura e Surrelit-Farkë.
“Sot përurojmë 2 rrugë të bukura që bashkojnë këto komuna me kryeqytetin, një investim i madh. Këto rrugë do t’ju shërbejnë 20 mijë qytetarëve të cilët do e kenë shumë më të lehtë lidhjen me qendrën e Tiranës. Me këtë rast me lejoni që t’ju siguroj ju se investimet në këto zona nuk do njohin të ndalur”.
Berisha garantoi se qeveria do të asfaltojë çdo km rrugë ku banojnë njerëz dhe jo të injorojë nevojat e njerëzve si qeveritë e mëparshme.
“Në vitin 2005 rrugët rurale ishin “injoruar””.
Sipas kreut të qeverisë, një infrastrukturë e kuruar mirë do të thotë investim dhe zhvillim.
“Rrugët kanë rritur deri në 5 herë vlerën e investimeve. Biznesi lulëzon aty ku është rruga. Theksoj sot se vendosmëria jonë për infrastrukturë moderne është faktuar para shqiptarëve”, tha Berisha, transmeton BalkanWeb.
Më tej Berisha u ndal dhe tek pagat dhe pensionet si dhe rritja ekonomike.
“Berisha: Ekonomia shqiptare në këto vite është rritur 4 herë më shumë se mesatarja e rajonit pa rritur asnjë taksë. modeli ekonomik i Shqipërisë është i suksesshëm. Ne jemi qeveria qe kemi dyfishuar pagat dhe pensionet, bëjmë rritje çdo vit. Me gjeni nej vend në Europë që e bën këtë në kohë krize.”, theksoi kryeministri.
Sipas tij, Shqipëria ka ulje të papunësisë. “Krijimi i vendeve të reja të punës mbetet përparësi absolute e qeverisë”, tha kryeministri shqiptar.