Vllasi: Mbështeten të fortit
Në një Serbi para bankrotimit, dhe në një Kosove shumë të varfër, më shumë se sa marrëveshjet historike mes tyre, udhëheqësitë e fuqishme do shfrytëzohen për shkak të rrezikut nga jostabiliteti politik apo dhe nga trazira të mëdha sociale.
Bashkësia ndërkombëtare, sipas vlerësimeve të njohësve të rrethanave politike në vend, po insistojnë me ngulm që edhe në Kosovë të krijohet një qeveri me njerëz të fuqishëm, kryesisht me ata që karrierën politike e kanë nisur pas Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në Serbi tashmë është bërë realitet një koalicion shumë i fuqishëm i përbërë nga njerëz me të kaluar nga lufta apo partitë radikale, pjesëtarët e së cilës janë përballur edhe me drejtësinë ndërkombëtare. Pas fitores së Tomislav Nikoliqit në zgjedhjet presidenciale në Serbi, analistët politikë ballkanas dhe ndërkombëtarë vlerësonin se Serbia tani e ka më të lehtë t’i japë fund çështjes së Kosovës pasi ish- pjesëtari i partisë radikale serbe ka pak mundësi të akuzohet për tradhti.
Ironikisht, disa orë para se të mbylleshin qendrat e votimit në Serbi, Bashkimi Evropian u kishte dërguar mediave komunikatë duke uruar fitoren e Nikoliqit. Ndonëse BE këtë e quante gabim teknik, Nikoliq arriti të bëhet edhe pjesë e qeverisë së re serbe duke e bindur Ivica Daçiqin që të mos bëjë koalicion me demokratët e Boris Tadiqit. Kështu Serbia e fitoi një koalicion të fuqishëm, që me gjithë të kaluarën e errët të pjesëtarëve të saj, jo vetëm që nuk u bojkotua, por e gjeti derën e hapur tërësisht për bashkëpunim me Bashkimin Evropian.
Drejtoresha e Komitetit të Helsinkit në Serbi, Sonja Biserko, i tha “Zërit” përmes telefonit që ajo e sheh të mundshëm që një përbërje e tillë t’iu japë fund çështjeve të hapura të Serbisë, Kosovës por edhe Bosnjë e Hercegovinës. Sidoqoftë, ajo mendon që përbërje të tilla në pushtet,sidomos në Serbi më shumë mund të përballen me protesta të ashpra sociale pasi serbët nuk janë të interesuar për çështjen e Kosovës.
“Publiku serb e ka parasysh shumë mirë që Kosova kurrë nuk do kthehet në Serbi. Tani është çështja se si të finalizosh, si t’ia vësh pikën një çështjeje që është e pazgjidhur ende. Serbia nuk e do Kosovën sërish, pasi nuk i do shqiptarët të jenë pjesë e shtetit të tyre .Ende nuk është e qartë se si do e trajtojnë çështjen e veriut dhe nëse Rusia do vazhdojë ta mbajë këtë çështje të hapur për interesin e tyre e jo të Serbisë”, i ka thënë “Zërit” Biserko.
“Unë mendoj që është e mundshme që këta njerëz që tani i udhëheqin dy vendet t’i japin fund kësaj çështjeje pasi i tërë rajoni , duke e përfshirë edhe Serbinë e Kosovën do përballen me probleme shumë serioze financiare….Transicioni ose është duke ndodhur shumë ngadalë ose nuk ekziston fare. Njerëzit do fillojnë të protestojnë për arsye sociale, pra tash mund të përballemi me radikalizëm social”.
Një koalicion i të fuqishmëve në Kosovë, sipas Azem Vllasit, më shumë pretendohet për arsye sigurie se sa për shkak të marrëveshjeve historike me Serbinë. Ish-funksionari i lartë politik kosovar në kohën e ish-Jugosllavisë mendon që negociatat me Serbinë nuk është arsye e fortë pse “të fuqishmit” duan të bëhen bashkë në Kosovë. Vllasi pretendon se dy palët, PDK dhe AAK kanë arsye të tjera më të mëdha që të bëhen bashkë.
“Unë nuk besoj që bisedat me Serbinë janë çështja kryesore që kanë nxitur bisedat për koalicion. Ajo është ndoshta argument i tretë për nga rëndësia. Kryeministri Thaçi si kryetar i PDK-së dëshiron t’i shtyjë zgjedhjet ndoshta deri në vitin 2014, ndërsa AAK dëshiron të faktorizohet pasi në opozitë nuk ka kurrfarë roli. Deri në zgjedhje, PDK dëshiron që të kursehet nga reagimet e njerëzve për marrëveshjet me Serbinë duke e futur në qeveri edhe AAK-në”, ka vlerësuar Vllasi.
Ai vlerëson se nuk është tërësisht e rastësishme mundësia e një koalicioni të ri qeverisës duke përsëritur disa herë se negociatat me Beogradin janë vetëm arsyeja e tretë për mundësinë e një koalicioni të ri qeverisës. Njëjtë si Biserko, edhe Azem Vllasi vlerëson se rreziku nga trazirat sociale është më i madh dhe se qeveria aktuale vështirë të përballonte një gjë të tillë.
“Nga rreziku i trazirave sociale në Kosovë, qeverinë do e mbante më stabile nëse bëhet një koalicion mes PDK-së e AAK-së. Tash kjo qeveri aktuale është shumë e brishtë, jo vetëm bisedat me Serbinë, por edhe çështjet sociale mund ta luhasin shumë kollaj”, ka thënë Azem Vllasi, njofton zëri.
Negociatat politike Kosovë- Serbi ende nuk e kanë një datë të caktuar për fillimin e tyre, megjithëse pushtetarët si në njërën ashtu edhe në tjetrën janë treguar të gatshëm për të. Ish- diplomati amerikan Daniel Serwer, pak ditë më parë, i ka thënë “Zërit” se ai ka indikacione që para se palët të takohen mes veti, mund të arrihen marrëveshje të rëndësishme mes Prishtinës dhe Beogradit.