Kalo te lënda

Spitali i Gjakovës,pa sterilizuesin themelor

Një ditë pastrohen në Pejë e një ditë tjetër në Prizren. Ndërkaq, përdoren në spitalin Isa Grezda në Gjakovë. Kështu po ndodh me mantelet, fashat e instrumentet e laparaskopisë, për shkak të prishjes së dy autoklaveve, që shërbejnë për sterilizimin e tyre.E përgatitja e materialit shpenzues në spitalet fqinje, po i kushton spitalit gjakovar. Kjo ka bërë që rastet e lehta të mos trajtohen në këtë spital, ndërkaq po ndërhyhet vetëm te rastet urgjente. E kirurgët thonë se pa sterilizim me avull që zakonisht bëhet deri në 135 gradë celsius, nuk mund të mendohet as intervenimi më i vogël kirurgjik. Sipas drejtuesve të spitalit, rregullimi i një autoklaveje që është blerë 50 mijë euro, mund të kushtojë deri në 10 mijë euro. E për t’i mësuar këto shifra dhe adresën ku mund të rregullohet kjo pajisje u deshën rreth dy muaj. Kështu që tek tani i është kërkuar mendim ministrisë nëse mjetet e destinuara për aparate të reja, të ridestinohen në këtë servisim. Ndërkaq, zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë, kanë bërë të ditur se do ti këshillojnë drejtuesit e spitalit që një kërkesë për ridestinim të mjeteve duhet ta bëjnë në autoritetin qendror të prokurimit. Vetëm me lejen e këtyre të fundit, mund të përdoren mjetet për rregullimin e autoklavëve të prishur.

Lini një koment