Kalo te lënda

Remi kërkon koalicion PDK-LDK

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Rrustem Mustafa vazhdon të mbrojë qëndrimin për një koalicion të madh në mes të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ish Komandant Remi nuk e sheh si zgjidhje koalicionin në mes të PDK-së dhe AAK-së, pasi sipas tij, për proceset e mëdha që priten për vendin duhet një koalicion më i fortë dhe më i qëndrueshëm që arrihet vetëm me LDK-në, e ku nuk përjashtohen partitë më të vogla.

“Jam i mendimit se Kosovës i duhet një koalicion PDK-LDK, pasi mendoj se do të ishte i vetmi koalicion që garanton shumicën dhe që është i aftë të marrë vendime të rëndësishme për vendin dhe në interes të vendit”, thotë për Korieri.info, Mustafa. Sipas tij, duhet ndryshimi i qasjes qeverisëse në Kosovë, dhe ai mendon se asnjë koalicion tjetër nuk e garanton këtë ndryshim. “Ndryshimi i qasjes qeverisëse mund të bëhet vetëm me një koalicion PDK-LDK, me të tjerët mund vetëm të vazhdojmë këtë qasje që e kemi që nga paslufta, e që konsideroj se është ndër hallkat më të dobëta të shtetit tonë të ri, i cili ka nevojë për një zhvillim më të madh ekonomik, për një arsim më cilësor, për sundimin dhe forcimin e rendit dhe ligjit dhe atë duke filluar nga Prishtina e tutja”, thotë Mustafa.

Ish komandant Remi, i cili njihet për deklaratën bombë gjatë bisedimeve në Rambuje, kur ishte kërcënuar fuqishëm në adresë të delegacionit, se në qoftë se nënshkruanin për autonomi, “predhën” më të madhe do e kishte për avionin e tyre, duket po kaq këmbëngulës për të mos pranuar asnjë zgjidhje jashtë pakos së Ahtisaarit për veriun.

“Nuk po kërkon askush të dorëzohet veriu, as të pranohet diçka jashtë pakos së Ahtiaarit. Këto janë vetëm spekulime që vijnë pikërisht nga ata që ju konvenon gjendja aktuale”, thotë Mustafa.

“Një gjë është e qartë për ne të gjithë: çfarëdo koalicioni që të jetë dhe kushdo që jetë Kryeministër apo President nuk do të ketë kurajën që të vendosë diçka në dëm të integritetit dhe sovranitetit të vendit tonë‘, shton ai.

Mustafa thotë se është momenti kur partitë duhet të mendojnë dhe marrin vendimi në favor të vendit, e të cilat mund të mos jenë ndoshta në favor të interesave partiake.

“Jemi para momentit kur partitë do të detyrohen të marrin vendimi jopopulliste që shpesh herë prodhojnë edhe humbje në zgjedhje, por që janë të domosdoshme dhe në të mirë të shtetit”, paralajmëron nënkryetari i PDK-së në pushtet, Rrustem Mustafa. (ORAinfo)

Lini një koment